Nga: ARMIR MEHAJ*
Motrat bamirëse të Misionit “Shën Jozefi” në qytetin e Fushë Arrëzit, Gratias Ruf dhe Bernadette Ebenhoch nderohen nga Republika Federale e Gjermanisë me ‘Urdhrin e Meritës’, nderimi më i lartë që bën presidenti Federal, Joachim Gauck.

Ceremonia e dorëzimit të këtij titulli, akorduar murgeshave gjermane që ndihmojnë të varfrit në Shqipërinë e Veriut, u organizua në Ambasadën Gjermane në Tiranë, ku ambasadorja Susanne Schütz vlerësoi misionin e dy murgeshave gjermane të cilat ndihmojnë prej 25 vitesh të varfrit pa dallime fetare.

“Me angazhimin e tyre të palodhur ato kanë vënë shumëçka në lëvizje, dhe kanë përmirësuar në mënyrë mjaft konkrete jetën e njerëzve në dhe përreth Fushë-Arrëzit.

‘Urdhri i Meritës’ së Republikës Federale të Gjermanisë nderon angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm shumëvjeçar në Shqipëri. Unë ju përgëzoj shumë përzemërsisht për këtë vlerësim“, u shpreh Ambasadorja Susanne Schütz gjatë dorëzimit të Urdhrit.

Vetë motër Gratias dhe Bernadet, teksa ndjeheshin të nderuara për këtë titull, nderimin ndaj tyre ja dedikuan Zotit që i ka udhëhequr në ndihmë të familjeve të varfra.

Misionaret gjermane punojnë që prej vitit 1995 në mënyrë vullnetare në Stacionin e Misionit Katolik në Fushë Arrëz, në veri të Shqipërisë, duke u angazhuar fort në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve.

Ndihma me miell dhe ushqime të përmuajshme, medikamentet për të sëmurët, ndërtimi i afro 250 banesave, ndihma për gratë e dhunuara, kurset profesionale në ndihmë të popullsisë së kësaj zone, bursat për studentet nga familje të varfra si dhe kopshti i fëmijëve, janë vetëm një pjesë e aktivitetit të tyre bamirës.
‘Urdhri i Meritës’ së Republikës Federale është vlerësimi më i lartë që Gjermania akordon për merita të veçanta.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb