Një gjykatë në Gjermani ka urdhëruar ekstradimin e një bullgari, i cili u ndalua më parë këtë javë, me dyshimin e përdhunimit dhe vrasjes së gazetares bullgare Viktorija Marinova. I dyshuari u arrestua të martën në Stade, pranë qytetit gjerman të Hamburgut.

Sipas një deklarate të Gjykatës së Lartë Rajonale në Celle, i dyshuari do të ekstradohet brenda 10 ditëve të ardhshme nga Gjermania në Bullgari. Autoritetet bullgare e akuzojnë për përdhunim, vrasjen dhe plaçkitjen e Marinovës më 6 tetor në qytetin bullgar Ruse. Sipas prokurorit, Bernd Kolkmeier, i dyshuari pranoi pjesërisht veprimet e tij gjatë marrjes në pyetje.

“Ai pranoi se në mëngjesin e 7 tetorit 2018 ishte nën ndikimin e fortë të alkoolit dhe drogës dhe se goditi një grua të re të panjohur në fytyrë në një park në brigjet e lumit Danub në Ruse të Bullgarisë,”-tha prokurori në një deklaratë. “Ai më pas e hodhi gruan në një shkurre dhe mohoi se e kishte vrarë me qëllim apo se e kishte përdhunuar e grabitur.”

Kolkmeier shtoi se sipas të dyshuarit, ai nuk e ka njohur më parë viktimën dhe se kjo përjashton vrasjen për motiv politik. “Ai do të ekstradohet në Bullgari dhe autoritetet bullgare do të marrin përsipër hetimin,”-tha prokurori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb