Ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, është i ftuar special në emisionin “Qatar N’24” të moderators Enxhi Biba, në “News 24”, ku si njohës mjaft i mirë i futbollit dhe kombëtares gjermane, bëri një analizë të detajuar pas humbjes së “pancerave” ndaj Japonisë, ku analizoi pikët e dobëta të skuadrës së Flik. Sipas Lalës një pikë e dobët te Gjermania është dhe mesfushori Kimish.

ALTIN LALA:
HUMBJA E GJERMANISË DHE SKUADRAT E “VOGLA”- Dhe këtu ka shumë tifozë të zjarrtë të Gjermanisë, trishtim këtu, trishtim atje. Futbolli ka ecur shumë përpara, sot nuk ka më skuadra të lehta, përveç Katarit, Iranit dhe Kosta Rika që u dorëzuan. Skuadrat e tjera si Japonia dhe Arabia Saudite na kanë surprizua. Bëhet akoma dhe më e bukur kur ka surpriza të tilla, pavarësisht se tifozëve nuk iu pëlqejnë.

Sot patëm vetëm 1 penallti. Skuadrat e vogla kur kanë edhe një shans të vogël për të kthyer dhe lojën, japin maksimumin. 5-6 lojtarë të Japonisë luajnë në Bundesligë dhe kanë mentalitet shumë të fortë. Nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë.

ÇFARË NUK PO SHKON ME GJERMANINË – Pika më e dobët e Gjermanisë, është mbrojtja dhe Kimish, ky i fundit nuk më pëlqen fare. Nuk ka asnjë pikë të fortë, vetëm bën 13 km vrap. I mungon edhe sulmuesi 9, pas Kloses kanë pasur probleme te ky pozicion. I duhet një tip Levandovski. Haverc nuk është sulmues tipik. Këto janë problemet më të mëdha që ka Gjermania. Kimish vetëm kur ka topin dhe nuk ka kundërshtarë jep disa topa të gjatë. Ka një marsh që nuk e kam kuptuar deri sot. Edhe te Bajerni ka lojtarë shumë herë më të fortë se Kimish. Për mua ai s’bën asgjë. Vrapon vetëm si “kali në lëmë”.

Sulmuesi Fylkrug, e njoh personalisht se ka qenë te Hanoveri, e njoh që të vogël, tani është te Verder Bremen, por nuk mund të presësh nga ai. Flik e grumbulloi nga presioni i mediave, se ka shënuar më shumë gola momentalisht. Në Gjermani është presion jashtëzakonisht i madh, duan vetëm të fitojnë. Broja do i bënte punë Gjermanisë. Mirë që e kemi ne.

TIFO- Unë faktikisht jam tifoz më Brazilin që i vogël. Shoh pretendentë Brazilin, Spanjën, jam kurioz edhe për Anglinë, kanë stol shumë të fortë. Këto janë 3 skuadrat që mendoj unë. Do bëj tifo pak për Brazilin këtë Botëror, kam qenë që i vogël.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb