Gjermanishtja është kthyer në biletën e sigurt të shqiptarëve për të emigruar. Vetëm në Tiranë numërohen më shumë se 100 qendra kursesh të gjuhëve të huaja, ku mësohet kryesisht gjuha gjermane. Një trend që njeh vit pas viti vetëm rritje.

“Këto vitet e fundit është shtuar gjithnjë e më shumë interesi për të mësuar gjermanisht. Numri sa vjen e rritet. Përpiqen ta mësojnë shumë sidomos flas për moshat e rritura, është një gjuhë që kërkon impenjim, ka vështirësinë e saj duke e krahasuar me anglishten apo italishten, është më e vështirë, kërkon kohën e saj për tu mësuar”, tha për News24, dr. Eda Cauli.

Cauli, e cila drejton një qendër profesionale të gjuhëve të huaja në Tiranë ku mësohet edhe gjermanishtja, thotë se kërkesat për studim dhe punë në Gjermani janë trefishuar vitet e fundit. Të rinjtë e mësojnë gjuhën për studime apo punësim, ndërsa familjarët për bashkime familjare.

“Arsyet kryesore janë për emigrim, për shkak të tregut të punës që ata gjejnë, për shkak të vetëbesimit që kanë pasi kanë një zanat, janë edhe studentët të cilët kërkojnë të kryejnë studimet universitare si master, ata persona që janë familjarë në momentin që janë kryefamiljarë andej familjarët e tjerë këtu mësojnë gjuhen gjermane pasi është kush kryesor. Ka nga ata të cilët kërkojnë të jenë në seanca individuale për ta mësuar gjuhën më shpejt, për të qenë më komodë. Ka nga ata që kanë një kontratë pune në dorë dhe koha nuk u premton shumë gjatë”, tha Cauli.

Përveç tarifave të ulëta të studimit gjermania ofron punësim për një gamë të gjerë profesionesh.
“Në fillim gjuha gjermane ishte kryesisht shumë e kërkuar nga mjekët, infermierët apo stomatologët, së fundmi vëmë re një trend dhe një interes më të madh tek personat të cilët kanë përfunduar studimet për IT apo gjeologji, të cilët kanë parë mundësitë e tregut të punës në Gjermani dhe vijojnë të mësojnë gjuhën gjermane”,-u shpreh Cauli.

Nga statistikat rezulton se nga viti 2016 deri në vitin 2022 është pesëfishuar kërkesa për të përvetësuar gjuhën gjermane.

Sot në Gjermani po diskutohet marrja e shtetësisë nga qytetarë të vendeve jo anëtare të BE. Sipas projektligjit që pritet të votohet, shtetësia mund te kërkohet edhe 5 vjet pas qëndrimit te rregullt ne Gjermani ndërsa deri me sot aplikuarit duhet te prisnin deri ne 8 vjet ndërsa ne raste ne veçanta ne baze te arritjeve te shkëlqyera ne shkolle ne profesion apo nëse zotëroni njohuri perfekte te gjuhës gjermane, shtetësia mund te fitohet për vetëm 3 vjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb