TIRANE- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u shpreh të enjten në Kuvend, se projektligji i hartuar nga MZHU për “Programet Sociale të Strehimit”, i ndryshuar, që diskutohet sot, do t’i japë të drejtën e pronësisë 400 familjeve të shpërngulura 22 vjet më parë me ndërtimin e ujëmbledhësit të Bovillës.

“Propozimi që ne sjellim sot për miratim parashikon, përfshirjen e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, si institucioni i specializuar për ndjekjen e procedurave për legalizimin dhe kalimin e të drejtës së pronësisë për të gjitha familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës, pa shkaktuar as më të voglën kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi e gjithë procedura do të ndiqet nga vetë punonjësit e ALUIZNI-t”, tha Gjeremeni.

Lajmi i mirë për këto 400 familje, vijoi ajo, është se mbas shumë vitesh sorollatje, në zyra dhe institucione publike, falë këtij ndryshimi ligjor do të jenë pronarë të ligjshëm të banesës dhe truallit të akorduar me letra në vitin 94, por që u deshën plot dy dekada për t’u bërë realitet.

Gjatë fjales së saj, Gjermeni u ndal në rëndësinë e Reformës në drejtësi.

“Reforma në drejtësi, është jetike për të ardhmen demokratike të Shqipërisë, Reforma në drejtësi nuk është vetëm një premtim i Partisë Socialiste në programin e saj qeverisës 2013 – 2017, por është përkthimi i kërkesës së të gjithë qytetarëve shqiptarë, për të parë te organet e drejtësisë zbatimin e të drejtës së munguar ndër vite”, tha ajo.

“Paanshmëria dhe pavarësia në vendimmarrje nga sistemi i drejtësisë është gurë-themeli”, theksoi Gjermeni, që garanton barazinë para ligjit dhe rrit besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve ligj zbatuese. Nisur nga sa më lart uroj shumë, që në seancën që vjen të fitojë zëri i qytetarëve dhe jo egoja e politikanëve, e drejta mbi të padrejtën, pavarësia e institucioneve nga kapja e tyre, demokracia dhe shteti ligjor mbi anarshinë dhe vendimet e njëanshme, që cënojnë parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh ministrja Gjermeni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb