TIRANE- Mënyra më e mirë e memorizimit të koncepteve lidhet me gjestikulacionet që përdorni. Pra, bërja e gjesteve nuk konsiston në një lëvizje të thjeshtë të duarve në mënyrë mekanike sipas një studimi.

Gjestikulacioni është një ves apo një virtyt? Nëse është e vërtetë që italianët janë të famshëm për ta bërë këtë gjë shumë shpesh, është e vërtetë që edhe shumë persona, duke lënë mënjanë kombësinë, kanë sjelljen që të shprehen me ndihmën e gjesteve. Edhe shqiptarët, në shumicën e rasteve, në kohën kur flasin përdorin gjestet gjatë komunikimit të tyre.

Sipas psikologes Susan Goldin-Meadoë, të universitetit të Chicago-s, gjithnjë e interesuar për temën, gjestikulacioni nuk konsiston në një lëvizje të thjeshtë të duarve në mënyrë mekanike. Ndryshe nga kjo, do të ishte jo vetëm një mënyrë për t’u kuptuar, por edhe për të mësuar e memorizuar më mirë konceptet.

Për vite me radhë, psikologjia ka studiuar gjestet. Në fillim duke u përqendruar në gjuhën e shenjave të fëmijëve të shurdhër, më pas duke e thelluar studimin në të gjitha ato lëvizje që na ikin, ndërsa flasim e që janë të interpretueshme vetëm në brendësi të kontekstit të fjalimit që ne çojmë përpara me bashkëbiseduesin tonë.

Edhe fëmijët në qasjet e para me matematikën janë më të prirur që të kujtojnë numrat, nëse llogaritë shoqërohen me gjestet. E njëjta gjë ndodh edhe me të rriturit. Edhe për ata, gjestikulacioni ndihmon në memorizim, duke zvogëluar atë që psikologët e quajnë “ngarkesë konjitive”, ose akumulimin e energjisë mendore të nevojshme për të mbajtur në mendje nocionet.

Sipas studimit, gjestet do të na bëjnë që të ndihemi më afër koncepteve abstrakte, si një problem matematikor apo një fjalë. Kjo do të stimulonte mendjen.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb