TIRANË- Gjet Ndoji, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, i ftuar në rubrikën opinion në studion e lajmeve në News 24 ka folur për detyrën e tij të re në krye të Arkivës së Shtetit, risitë dhe të ardhmen e dokumentave që ruhen aty, por edhe për sulmet ndaj tij.

Ndoji thotë se qytetarët kanë rritur besimin tek Arkiva e Shtetit, pasi ky institucion ka shkurtuar kohën e dhënies së informacionit si dhe ka ulur kostot për studiuesit. Për ruajtjen e dokumentave, Ndoji thotë se e vetmja rrugë është dixhitalizimi dhe për këtë ka marrë mbështetjen e disa investititorëve arabë të interesuar për disa dokumente në gjuhën e tyre që ruhen në vendin tonë, kryesisht me karakter fetar.

Ai komenton edhe akuzat që qarkullojnë për të, veçanërisht për largimin nga policia e Kukësit. Gjet Ndoji thotë se motivacioni për ta larguar nga policia ka qënë i sajuar dhe i montuar nga njerëz që donin krimin dhe abuzonin me pasuritë e këtij vendi.

Cila është gjendja e shërbimeve sot dhe përmirësimet që janë bërë në Arkivën e Shtetit?
Që kur kam ardhur në krye të këtij institucioni, kemi përcaktuar disa prioritete. Kryesori është rritja e cilësisë së shërbimit. Shërbimi ndaj qytetarëve është një prioritet shumë i rëndësishëm. Kemi një sektor ku iu shërbehet qytetarëve, studiuesve, nevojave të tyre për dokumente pronash apo informacione me natyrë nag më të ndryshmit. Për hir të së vërtetës ka rritje të cilësisë së shërbimit, është shkurtuar koha e marrjes së shërbimit. Ka qenë 90 ditë koha kur një qytetar merrte përgjigje dhe tani çdo punonjës është i detyruar të japë përgjigje brenda 30 ditësh. Kjo do të thotë që, për të gjithë informacionin del për 30 ditë, ka raste kur e marrin edhe për 2 apo 5 ditë. Pas 30 ditëve nëse nuk japim shërbim ne mbajmë përgjegjësi. Rritja e cilësisë së shërbimit ka konsistuar edhe në rritjen e besimit tonë tek ata, që të mos bien pre e sekserëve siç jemi mësuar të shohim në shërbimet publike. Në këtë drejtim kemi rritur disiplinën. Që kur erdha në këtë detyrë kam vendosur që çdo qytetar që kërkon drejtorin ta pres. E di që i hap punë vetes sime, por bëj shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve. Unë kam mundësi të shoh nëpërmjet tyre të vërtetën për shërbimin e punonjësve, është i mirë apo i keq. Kjo që them unë mund të vërtetohet.

Një ditë normale në sportele si është, a ka shumë fluks? Çfarë kategorish vijnë dhe çfarë kërkojnë?
Ka një rritje të fluksit, ka edhe një rritje të shërbimit. Por, besoj se ka të bëjë dhe rritja e besimit tek ne. Sot kemi sallat ku ofrohet ky shërbim, kemi sallën e mikrofilmit. Kryesisht ata vijnë për dokumenta pronash, të rrethit familjar apo trashëgimisë, ka edhe studiues institucione kërkimore, studentë, etj.

Ka një vemendje të veçantë?
Po ka, kemi përcaktuar me Ministrinë e Financave dhe një reformim të tarifave të shërbimit. Kategoria që merren me studim, për ta është ulur tarifa. Ka qenë 50 lekë të vjetra një fotokopje, për studentët ishte 35 lekë, sot e kemi 30 lekë për kategoritë e studiuesve. Për pronat kemi tarifën më të ulët në rajon 200 lekë të reja, një fotografi. Dokumentat e thjeshta e kanë koston 30 lekë një copë.

Akseset, kush ka akses të hyjë në Arkivën e Shtetit, mund të kesh akses mbi çdo dokumentacion?
Dokumentet janë të aksesueshme për cilindo qytetar. Kushdo ka të drejtë të kërkojë gjithçka por ka dy raste që ka përjashtim. Ligji e ndalon kur dokumentet e klasifikuara si sekret shtetëror deri në kohën që mendohet se kanë impakt në jetën aktuale, politike, diplomatike ekonomike, etj. Rasti tjetër ka të bëjë me ruajtjen e privatësisë së individat apo familjes, jo kushdo mund të futet tëe marrë informacion për jetën e tjetrit.

Arkivi i Shtetit është një institucion me jetë më pak se 70-vjeçare… Ngelen shumë gjëra jashtë tij…
Në vitin 1949 u themelua arkivi, vjet festuam 65-vjetorin. Sot jemi 66 vite më pas. Prioritet është pasurimi i tij me dokumente. Dokumentacioni mbahet deri në 10 vite në institucione më pas destinacion është Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kjo është skema e pasurimit. Prioritet mbetet pasurimi me skemë që nuk janë pjesë e kësaj skeme. Mund ti kenë qytetarët vetë dokumentet . Dokumenti nuk e ka shtëpinë në familje, shtëpia e vërtetë është arkivi. Gjej rastin që t’I bëj apel çdo qytetari që ka dokumente në shtëpi, ta dorëzojë në arkiv, aty ruhen përgjithmonë. Brezat që vijnë mund të mos e kenë në fokus ruajtjen, këtu në arkiv garantohet ruajtje e përjetshe, ka mundësi të aksesohet, pra mund të ketë interes publik. Rëndësi ka edhe marrëveshja me arkivat e vendeve të tjera. Marrëveshjen e parë e kam bërë me Kosovën, kemi hartuar një fjalor me terminologji arkivore, pra, ka një rëndësi praktike bërja e tij. E shohim në kuadrin tjetër, që shqiptarët ta intensifikojnë komunikimin mes tyre. Kemi mundësi të pasurojmë arkivat tona me dokumente, synim prioritar mbetet pasurimi. Jemi të fokusuar jo vetëm tek vendet e rajonit, me të cilët ndajmë historinë, por edhe për arkivën e Stambollit. Kam vizituar arkivin otoman, atje kemi dokumente pafund, ashtu siç në arkivat tona ka mbi 1,5 milionë dokumente që i përkasin asaj perandorie. Kemi krijuaur një nismë për ta zgjeruar deri në Hungari e Slloveni bashkëpunimin, jo vetëm të lobojmë si grupe vendesh, por të krijojmë lehtësira komunikimi duke pasuruar reciprokisht arkivat tona. Në fazën e parë jemi edhe me Italinë, me arkivat e Napolit, së shpejti marrëveshje edhe me Austrinë, një bashkëpunim i ngjushtë me Venecian, Romën. Do përfitojnë historianët për të shkruar me sa më shumë ojektivitet historinë tonë. Me Malin e Zi ka filluar të zbatohet marrëveshja, kemi përfitur shumë dokumente të fund shekullit 19, për famijen e famshme të Bushatllinjve, figura të familjes së tyre deri tek pinjollët e viteve 30 të shek 19. Dokumente që flasin për periudhën e Lidhjes së Prizrenit deri në Pavarësi. Dokumente që flasin për marrëdhëniet që kemi pasur, kanë qenë marrëdhënie të koklavitura, dinamike, interesante, por mes nesh ka qenë gjithnjë edhe Perandoria Osmane…Apo dokumente për Kongeresin e Berlinit, kush ka qenë reagimi i vendeve të ndryshme për implementimin e vendimeve të atij kongresi, kush ka pas qëllime mbi to. Shihet qartë reagimi i shqiptarëve, kundër tij, por edhe veprimet dinake të Turqisë. Nuk i dhimbsej lënia e një territori për të ruajtur marrëdhënie të mira me Rusinë. Këto dokumente do shohin se lufta për pavarësi nuk fillon në 1911 apo 1912, ka një lëvizje më të hershme…”

A ruhen këto dokumente, a ka problematika për sa i përket kësaj çështje? A ka një plan për modernizimin e tyre?
Arkivi ka edhe ambjente të veçanta ku ruhet nga agjentët e atmosferës. Kodikët, një nga pasuritë më të rëndësishme të arkivit kalon kufijtë e një vendi, kemi fermanët, dokumente të rëndësishme të firmosura nga Veziri i Stambollit, apo pashallarë të ndryshëm që qëndronin në kaza, kemi dokumente arabe, perse, 1,5 milionë dokumenta. Ruajtja më e mirë do bëhet kur të intensifikohet dixhitalizimi. Ky është procesi më i mirë i ruajtjes.

Ka kosto duke pasur parasysh resurset e vendit tonë?
Kosto është papërfillshme nëse llogarisim përfitimet dhe rëndësinë që kanë këto dokumente. Duhet teknologji, kam pasur interesimin e disa studiuesve arabë, ju kam thënë që vullneti është i plotë për të dhënë dokuemente, por mungon dixhitalizimi. Arabët u treguan të gatshëm, firmosëm një memorandum bashkëpunimi për të mbështetur dixhitalizimin e dokumenteve, që bëhet fjalë për dokumentet e tyre, po do mbështesin edhe dixhitalizimin e dokumentave të tjera. Kjo është me rëndësi edhe për qytetarët.

Kur doli emri juaj, pati kritika, habi dhe sulme… Do donit të kthenit përgjigje?
Më vjen keq por arsyeja është për mungesë informacioni. Thonë që jam ish-drejtues policie dhe kjo ka si qëllim denigrimin, është e nisur politikisht. Ata të shohin që kam mbaruar arsimin për Histori dhe Gjeografi, kam dhënë mësim në një shkollë të mesme në Mirditë, kam punuar edhe në polici, por kjo për mua është vlerë e shtuar. Jo vetëm në Kukës, kam punuar edhe në Elbasan, në kohën më të vështirë, viti 1997. Zërat që flasin kanë qenë përgjegjësit e kësaj situate. Kam dhënë kontributin maksimal në polici. Lirimi im nga policia nuk është bazuar në të vërtetë. Motivi është cituar drejt, por ka qenë montim dhe falsitet, diçka e pavërtetë që është bërë ndaj meje. Shkelje disiplinore unë asnjëherë s’kam marrë masë. Në kohën që është tentuar të grabitet një bankë nuk është realizuar grabitje por një përleshje mes policies dhe grabitësve, ku u vranë dy grabitësit, u plagos dhe një polic. Unë u përgëzova për punën dhe pas disa kohësh, ministri i kohës dhe të tjerë montuan një urdhër, atje me mbeturina të diktaturës që donin të bëheshin trafiqe, njerëzit e krimit ishin kudo. Në atë kohë, në atë situatë ishte arritje. Kam kontribut për shkak të edukimit tim në fushën e historisë. Mua më karakterizon shpirti atdhetar. Kam 7 libra të botuar, dhjetëra kumtesa. Unë dua ta shfrytëzoj rastin për të thënë që institucioni i shpifjes do të jetë i fortë dhe do nëpërkëmbë shumë njerëz, njerëz që kanë interes punblik. Nga kjo përfitojnë abuzuesit që kanë siguruar pasuri marramendëse në kurriz të popullit shqiptar. Sa më shumë të forcohet drejtësia, aq më shumë do dobësohet shpifja. Kjo do ndodhë kur të ketë drejtësi që kryen misionin e saj, jo kjo që kemi sot.

(Përgatiti redaksia e BalkanWeb)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: