Nga: Besim NDREGJONI

Sot mbushen 29 vite nga koha kur regjimi komunist do të dënonte me varje poetin disident, martirin e lirisë, birin e Kollovozit të Kukësit Havzi Nela. Shqipëria, atdheu i tij i dashur, të cilit i kushtoi jetën në mbrojtje të lirisë dhe dashurisë njerëzore, do ta përcillte këtë dënim mesjetar me trishtim të madh. Këtë dënim makabër, varjen me litar, Europa e kishte hequr nga legjislacioni që në vitet ‘30. Kurse Shqipëria, nën drejtimin e diktaturës komuniste e praktikonte këtë lloj dënimi për t’i bërë karshillëk Europës së Lindjes, që po shembte muret ideologjike e sunduese të komunizmit, duke paraqitur bilancin e trishtueshëm me mbi 6000 të vrarë nga diktatura komuniste enveriste.

Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht në këto 27 vite, e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashtë politikës, është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij, janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën, çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë… Në qytetin e Kukësit i kanë vënë emrin e tij një shkolle gjimnazi.

Presidenti e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me nderimin e poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë. Poetin që shkruante nga katakombet komuniste, në burgun e Spaçit më 1974 për “Frymën e Helsinkit”. Atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet, për poetin që vargjet i shkruante qelive, duke sfiduar xhelatët e diktaturës, për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë.

Vetëm shteti ynë e ka të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e fyen kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Këto ditë, ministrja e Kulturës Kumbaro doli para mediave e qeshur, e gëzuar për një projekt madhor për të nderuar tek institucioni që drejton memorializimin e veprimtarisë komuniste të shtetasit italian Antonio Gramshi. Nëse ky shtetas i huaj do të kishte dhënë një kontribut për shqiptarët dhe Shqipërinë, do të ishim dakord që ta nderonim veprimtarinë e tij. Dihet që Antonio Gramshi e ka zhvilluar veprimtarinë komuniste në shtetin e tij Itali, dihet se ideologjia komuniste shkatërroi mijëra jetë në vendet ku u instalua. Dihet se ne shqiptarëve, ideologjia e komunizmit na shkatërroi si komb, duke e mbushur tokën shqiptare me varre të pafajshme vetëm se këta shqiptarë deshën lirinë dhe urrenin ideologjinë e krimit, ideologjinë e Antonio Gramshit. Qeveria e Rilindjes, në këtë 29-vjetor të ekzekutimit përbuz gjigantin e lirisë së shqiptarëve, poetin Havzi Nela, dhe nderon komunistin Antonio Gramshi. Ky është shteti rilindës, që nderon ideologët vrasës të Havzi Nelës.

Zonja Ministre, kush ta jep të drejtën ty që taksat e familjeve të martirëve të lirisë t’i përdorësh për të nderuar ideologjinë vrastare të komunizmit? Për të nderuar ata që me ideologjinë e tyre varën poetin? Antonio Gramshin le ta nderojë shteti i tij Italia. Ministria ku ju drejtoni është e shqiptarëve, dhe aty në atë vend duhet vendosur busti i poetit Havzi Nela, që me martirizimin e jetës, me gjakun e pafajshëm që derdhi për liri të krijoi edhe ty mundësinë që të bëheshe ministre.

Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tonë. Liliputët e trashëgimisë komuniste nderojnë komunistin Antonio Gramshi dhe përbuzin poetin e lirisë Havzi Nela. Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm. Ismail Kadareja bën një sugjerim në 20-vjetorin e varjes së poetit: “Poeti është në botën e amshuar; por shoqëria shqiptare, a është e qetë?” Në rrugëtimin tonë drejt përparimit dhe Europës, është shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin.

Pikërisht, politika shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të vërtetën e krimit komunist. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet. Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundej të abstragonte nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashtë Europës, se ajo nuk na pranon me vrasësit e poetëve, por me martirizimin e poetëve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët. Dhe vargjet e poetit sot tingëllojnë fuqishëm për shoqërinë:

Ma mirë i vdekur e me nder/ se me më sundue/ një derr beterr./Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb