VLORE – Kryebashkiaku i arrestuar i Vlorës, Shpëtim Gjika, do t’i nështrohet koronarografisë, për shkak të problemeve të rënda që i janë shfaqur në zemër pas arrestimit dhe duket se kanë ardhur duke u rënduar që nga mesnata.

Lajmi u dha nga Spitali Amerikan, në të cilin Gjika ndodhet i shtruar dhe vetëm 4 orë pasi mjeku i këtij spitali deklaroi se ai duhej të qendronte në reanimacion nën mbikqyrje. Koronarografia do të bëhet nesër, në orën 12:00.

Në orën 18:00, mjeku Bekim Jata tha se Gjika do të vazhdojë të qëndrojë edhe 72 orë të tjera në reanimacion, i survejuar, para se ata të vendosin nëse do t’i bëjnë një koronarografi për një sëmundje ishemike të zemrës. Por, duket se gjendja e Gjikës i nxitur mjekët të mos presin më.

Kryebashkiaku i Vlorës është nisur mesditën e sotme me një autoambulancë drejt Tiranës, për shkak të problemeve shëndetësore të shfaqura pak orë pasi u prangos nën akuzën e dhënies së lejes së paligjshme për një pallat 11 katësh në qytetin bregdetar. Mësohet se autoambulanca që transportoi Gjikën u shoqërua nga forca policore, ndërsa kryebashkiaku do të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e burgut në Tiranë. Mjekët e spitalit të Vlorës e panë të arsyeshme ta transportonin kryebashkiakun në kryeqytet, për mjekim më të specializuar. Sipas mjekëve të Vlorës, Gjika ka patur dhimbje në gjoks, hipertension, si dhe aritmi. Mjekët thonë se në momentin që është shtruar në spital, Gjika ka patur tension të lartë 19 me 11.

Ndërkohë pas vizitës në spitalin e burgut në Tiranë, mjeku ka kërkuar që kryebashkiaku i Vlorës, të transferohet në repartin e kardiologjisë. “Gjendja shëndetësore e Shpëtim Gjikës, është stabël. Ai duhet të transferohet tek reparti i kardiologjisë. Gjika u transferua në Tiranë për të bërë koronarografinë, pas simptomave të shfaqura”, ka thënë mjeku.

SPITALI AMERIKAN: PACIENTI DO TA BEJE NESER KORONAROGRAFINE

Ora 22:40 Spitali Amerikan ka njoftuar se pacienti Shpëtim Gjika do t’i nënshtrohet nesër koronarografisë. Njoftimi u bë 4 orë pasi mjekët e këtij spitali deklaruan se për këtë procedurë do të duhej të monitorohej gjendja e Gjikës në vazhdimësi, së paku edhe për 72 orët në vijim.

MJEKET: GJIKA, I DETYRUAR TE QENDROJE EDHE 72 ORE TE TJERA NE REANIMACION

Ora 18:15 Kryebashkiaku Shpëtim Gjika, që po mbahet në terapi intensive në Spitalin Amerikan në Tiranë, do të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion edhe për 72 orët e ardhshme. Lajmin e ka bërë të ditur sot, mjeku Bekim Jata i këtij spitali, i cili deklaroi për mediat se gjendja e Gjikës momentalisht është e stabilizuar pasi ndodhet në terapi intensive. Jata shtoi se gjatë orëve në vijim do të vendoset nëse Gjika do të ketë nevojë për një koronarografi. Sipas Jatës, në rastin e pacientëve me probleme të tilla duhen mbajtur parasysh edhe faktorë të tjerë, si trashëgimia; e ëma e tij ka vdekur në moshën 53-vjeçare nga shqetësime të tilla.

DEKLARATA E MJEKUT BEKIM JATA PER MEDIAT

“Mbrëmë, rreth orës 22:00, pacienti Shpëtim Gjika, – tha mjeku Jata, – është paraqitur pranë spitalit rajonal të Vlorës me shqetësime: dhimbje gjksi, dhimbje të shpatullës së majtë, dhimbje krahu, provokime të vjellash. Në momentin e paraqitjes, nga ekzaminimet paraprake, konstatohet një krizë hipertetive dhe dyshohet për sëmundje ishemike të zemrës. Mbas terapisë që zotëria ka marrë, gjendja e tij përmirësohet për disa orë, derisa në orët e para të mëngjesit, rreth orës 3:00, pati të njejtat shqetësime që janë shfaqur në të njëjtën formë, në të njëjtat tonuse. E njejta gjë ndodh edhe në orët e para të mëngjesit, rreth orës 9:00.

Për ekzaminime të mëtejshme është dërguar pranë qëndrës sonë. Në momentin e pranimit, gjendja e tij paraqitej stabile: me tension të qëndrueshëm, pa dhimbje, pa provokime të vjellash. Të gjithë parametrat e tjerë duken parametra brenda normës. Nga analizat e dërguara deri në këtë moment kemi disa ndryshime, kryesisht të analizave të enzimave kardiake. Do të evolohet për 24 orë. Pas 24 orëve do të përcaktohet për intervenimin e tij, ndoshta deri edhe tek koronarografia. Kjo është gjendja e tij e momentit. Duket brenda parametrave të duhur.

Sa kohë do të duhet të qëndrojë në spital?

Sipas protokolleve, duke qënë se ne mendojmë për sëmundje ishemike të zemrës, minimumi 72 orë ai duhet të survejohet dhe pastaj, sipas parametrave, gjendjes së tij të përgjithshme, do të vendosim për momentin më të përshtatshëm për kryerjen e koronarografisë.

A keni arritur të përcaktoni nga ka ardhur gjithë ky shqetësim?

Ka disa faktorë për të cilët zotëria ka një predispozicion për sëmundje ishemike të zemrës. Baza e saj është hereciteti: e ëma e pacientit ka humbur jetën nga infarkti në moshën 53-vjeçare. Pra, të gjitha janë faktorë rreziku. Mund të jetë dhe një stres i tejshtuar që ka shkaktuar një krizë hypertensive që është shoqëruar me këtë gjendje.

Në këto kushte, pacienti nuk mund të qëndrojë në dhomat e paraburgimit?

Jo. Duke qënë se ai ka shfaqur luhatje të tensionit si dhe kriza të forta të dhimbjes së gjoksit, shoqëruar me të vjella, atëhërë ky grup pacientësh nevojitet të ndiqet në një qendër intensive, siç është reanimacioni,” – përfundoi mjeku.

AKUZAT NDAJ GJIKES

Abuzimet me lejet e ndërtimit kanë çuar në pranga kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ai është arrestuar pasditen e djeshme në banesën e tij, pasi akuzohet se ka dhënë leje të jashtëligjshme për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar. Ndërkohë, ka përfunduar në pranga një zyrtare e Bashkisë së Vlorës si dhe një biznesmen. Bëhet fjalë për Doriana Sulajn, drejtore e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në këtë bashki dhe biznesmenin e ndërtimit, Artur Haxhi. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bënë me dije se kryebashkiaku Gjika dhe vartësja e tij Sulaj akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Ndërtim i paligjshëm”, të kryera në bashkëpunim. Dy muaj më parë dhe konkretisht më 27 nëntor të vitit që shkoi, Gjykata e Tiranës e shpalli 52-vjeçarin Gjika të pafajshëm për akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit të dy godinave: njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në vendin e quajtur “Tre Rasat”. Ndërsa, biznesmeni 30-vjeçar Artur Haxhi ose siç i thërrasin ndryshe “Turi i vogël”, akuzohet për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Mashtrim”, të kryera në bashkëpunim. Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës ka pranuar kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi dhe ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tri personave në fjalë.

MOMENTI I ARRESTIMIT
Rreth orës 15:30, efektivë të policisë së Vlorës kanë ndalur hapin në banesën e kryebashkiakut Shpëtim Gjika, e cila ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë. Blutë i kanë thënë Gjikës: ‘Duhet të vini me ne’. I qetë Gjika iu është përgjigjur: ‘Në rregull, do vij sapo të bëhem gati’. Më pas ai ka dalë nga apartamenti dhe së bashku me blutë ka shkuar në Komisariatin e Policisë së qytetit bregdetar. Ndërkaq, burime nga Prokuroria e Përgjithshme deklaruan se Gjika, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, në bashkëpunim me Doriana Sulajn, kanë përpiluar dhe lëshuar dokumente me përmbajtje të falsifikuara. Konkretisht, dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë për miratimin e një sheshi ndërtimi dhe leje ndërtimi 2-8-10-11 kate me subjekt ndërtues “Turi & MZB” shpk, me pronarë katër familje. Kreu i Bashkisë së Vlorës akuzohet se për pallatin 11-katësh të ngritur në zemër të qytetit të Vlorës ka falsifikuar firmat në procesverbalin e KKRT-së. Për sa i përket biznesmenit Artur Haxhi, ai është një ndër më të fuqishmit e kësaj fushe në qytetin bregdetar dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me dy të dyshuarit e tjerë për ndërtimin e pallatit. Mësohet se Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal nr.1264 në vitin 2013, në bazë të kallëzimit të një shtetaseje.
DY MUAJ MË PARË GJIKA U SHPALL I PAFAJSHËM
Në nëntor 2014, gjykatësi Arben Micko vendosi të shpallë të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ndaj Gjikës, prokuroria kishte ngritur akuzën e falsifikimit të dokumenteve, të kryer në bashkëpunim me vartësen e tij, Eleni Dardhaj, e cila gjithashtu “rrëmbeu” pafajësinë. Gjykatësi Micko, arsyetonte në vendimin e pafajësisë, se prokuroria nuk mundi të sjellë prova e mbi bazën e të cilave të vërtetonte se Shpëtim Gjika kishte konsumuar veprën penale, për të cilën akuzohet. Të pafajshëm u shpallën edhe të pandehurit, Blerdi Licaj e Gentian Sherifaj. Për Gëzim Fetën u pushua çështja, për shkak se ai vdiq gjatë procesit. Gjykata, gjithashtu vendosi heqjen e masës së sekuestros mbi dy objektet e ndërtuara në zonën e njohur si “Tre Racat” dhe në lagjen “Pavarësia”, që konsideroheshin të paligjshme nga prokuroria, për shkak se sipas saj ishin ndërtuar mbi bazën e lejeve të falsifikuara. Shpëtim Gjika u akuzua se kishte falsifikuar një procesverbal të mbledhjes KRT.

(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb