Sektori i transportit në vend ka nevojë për më shumë profesionistë dhe mungesa e tyre, sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka sjellë kosto të lartë në shumë vepra të ndërtuara mbi projekte të pastudiuara. Ai solli në vëmendje Rrugën e Kombit dhe Tiranë-Elbasan të cilat ende kanë nevojë për miliona euro investime për shkak të problematikave që kanë rezultuar sidomos në aspektin gjeologjik.

“Nevoja është shumë e madhe. Ka nevoja shumë për pjesën inxhinierike, ka shumë projekte, inxhinieri ndërtimi, konstruktori, apo qoftë gjeologu në fusha jo vetëm tek miniera. Gjeologjia është baza. Sa më mirë të njohësh gjeologjinë aq më i sigurtë është edhe projekti. Të gjitha dështimet që kemi ne në projekte publike po ta vini re, vijnë kryesisht për shkak të dështimeve gjeologjike. Pse?! Sepse nuk janë bërë studimet siç duhet, i kanë rënë shkurt, i kanë bërë nga kompjuteri ose janë mjaftuar me disa të dhëna, pa marrë kampione, pa bërë analizat e shtresës së nëntokës dhe të gjitha këto kanë sjellë që në shumë nga këto projekte të famshme të ‘kërcejë’ çmimi. Ju e keni pare, që nga projektet e mëdha si rruga Durrës-Kukës, apo Rruga e Elbasanit, projekte shumë të rëndësishme, por kostot kanë vajtur të larta pikërisht nga mungesa e bërjes së punës siç duhet nga pikëpamja e projektimit”, u shpreh Gjiknuri.

Ai theksoi se vëmendja duhet të fokusohet edhe në fusha të reja në universitete për t’ju përgjigjur dinamikës së zhvillimit të sektorit siç është së fundmi transporti hekurudhor.

“Hekurudha është degraduar me vite. Ne po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm Tiranë-Durrrës, rreth 100 milion euro me mbështetjen e BERZH-it dhe të Komisionit Europian. Do bëjmë një hekurudhë moderne Tiranë-Rinas, Tiranë-Durrës, pra do të ketë një lëvizshmëri të shpejtë, një tren të shpejt, komod si në Europë. Kjo do të hapë edhe një fushë të re sepse inxhinieria hekurudhore këtu ka dalë jashtë loje. Unë e kam vënë re që mungojnë profesionistë në këtë fushë. Bërja e kësaj vepre të re dhe qoftë ringjallja e hekurudhës edhe me projekte të tjera që jemi duke aplikuar për të lidhur Shqipërinë me Greqinë apo me Maqedoninë do të krijojnë një fushë tjetër shumë të mirë, qoftë për inxhinieri civile për hekurudhat, por qoftë edhe nga pikëpamja e transportit hekurudhor, se këto janë fusha të ndërlidhura”, theksoi Gjiknuri.

Deklaratat u bënë gjatë një bashkëbisedimi që kreu i MIE pati me studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës me të cilët diskutoi perspektiven e zhvillimit të këtyre dy sektorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb