VLORE- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, shoqëruar nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci, dhe deputeti Vullnet Sinaj, inspektuan kantierin e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës.

Pas zgjidhjes së ngërçit të krijuar pak kohë më parë me punimet e projektit, aktualisht është asfaltuar një pjesë e segmentit Bypass-i i Vlorës-Peshkëpi-Gjorm ndërsa deri në vjeshtë pritet të përfundojë asfaltimi për të gjithë LOT-in e parë prej rreth 23 kilometrash.

“Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe siç u informova nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, procedurat për dy lotët e tjera janë drejt përfundimit, do të thotë që brenda këtij viti ose le të themi maksimumi fillim vitin tjetër do të nisin punimet edhe për segmentet e mbetura”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, projekti do të përfundojë plotësisht në një periudhë kohore prej dy vitesh.

“Brenda dy viteve kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë zonën e Lumit të Vlorës, për zonën e bregdetit. Bashkë me zhvillimet e tjera infrastrukturore në Vlorë, me ato që po bën qeveria shqiptare do të krijojë një ndërlidhje shumë të mirë nga pikëpamja e mobilitetit, infrastrukturës dhe realisht do të sjellë një zhvillim ekonomik për të gjithë zonën”, nënvizoi Gjiknuri.

Segmenti i parë ku po kryhet asfaltimi ka një gjatësi prej afro 23 kilometra dhe shtrihet nga fshati Sherishtë deri në fshatin Gjorm. Segmenti i dytë 27.1 kilometra shtrihet nga Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos ndërsa segmenti i tretë prej 23.7 kilometra vazhdon nga Ura e Laskos-Qeparo & Ura e Laskos-Kuç. Këto dy segmente aktualisht janë në procedurat e fundit të tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Segmenti i fundit i rrugës është ai Peshkëpi-Selenicë-Superstradë me gjatësi 16.4 kilometra për të cilën Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përzgjedh konsulentin dhe mbikëqyrësin e punimeve për të shpallur më pas tenderin e punimeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb