Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me banorët e rajonit Nr.1 dhe të njësisë Novoselë ku prezantoi kandidatin për kryebashkiak Dritan Leli.

Një prej investimeve kryesore që po zhvillohen aktualisht në pjesën qendrore të qytetit është edhe rehabilitimi i qendrës historike ndaj ky element ishte në vëmendjen e Lelit gjatë fjalës së tij para banorëve.

“Ne po arrijmë të kthejmë në identitet Qendrën Historike të Vlorës, ndaj në 30 Qershor të votojmë Partinë Socialiste. Dëshiroj që ne t’i vazhdojmë projektet, ta përfundojmë qendrën historike të qytetit. T’i japim asaj imazhin e Bashkisë së Vlorës, që u rikonstruktua e gjitha nga e para dhe do t’ja dalim sepse ne dimë të zgjedhim, dimë të votojmë”, u shpreh Leli.

Në fjalën e tij, Gjiknuri insistoi se Partia Socialiste as nuk blen e as nuk shet vota por figurat kryesore politike të saj po goditen për qëllime të pastra politike.
“Ne as blejmë vota e as gënjejmë njerëz. Ata (PD) nuk kanë përfaqësi fare në Vlorë, ata e mendojnë Vlorën në xhep pa qënë këtu. Pra, praktikisht këtë bëjnë në gjithë Shqipërinë dhe kjo është arsyeja pse goditem unë, pse goditet Edi Rama, pse goditen figurat kryesore të Partisë Socialiste. Sepse ata nuk kërkojnë zgjedhje, ata mjaftohen duke hedhur këto lloj shashkash të gatuara në kuzhinën e Partisë Demokratike dhe duan të nxisin njerëz për dhunë. Ne nuk do ti lejojmë. Ne jemi vërtet përfaqësuesit e denjë të Vlorës ndaj Vlora na voton”, theksoi Gjiknuri.

Nga Novosela, Leli premtoi se në mandatin e ardhshëm do të shtohet vëmendja e Bashkisë për zonat rurale.
“Në projektin e katër viteve që vijnë ajo cfarë unë kam vënë si orientim është vëmendje më tëpër për zonat periferike, për njësitë administrative dhe gjatë mandatit të ardhshëm të ndryshojmë ashtu si Vlorën, njësinë administrative Novoselë, pasi ju meritoni më shumë”, tha Leli.

Drejtuesi politik i socialistëve në këtë Qark Damian Gjiknuri tha se fushën e lojës e braktisi Partia Demokratike ndaj ftoi qytetarët të votojnë më 30 Qershor për Partinë Socialiste si alternativën më të mirë qeverisëse.

“Kush ka bërë më shumë për Vlorën se sa ka bërë Partia Socialiste? Investime të mëdha edhe në rrugë qoftë me Bypass-in që do të përfundojë shumë shpejt, me qytetin e Vlorës që është transformuar apo investimet në energji elektrike. Këto punë të mira do të vazhdojnë”, nënvizoi Gjiknuri.

Fushën e lojës, vijoi ai, nuk e braktisëm ne por e braktisën ata, nuk i kemi lënë asnjë shkak të braktisin fushën e lojës.
“Ata duan të tërhiqen nga gara dhe kërkojnë përmbysjen me dhunë të pushtetit, duan ta mbajnë Shqipërinë larg Europës. Akuzojnë Kryeministrin e Shqipërisë për një bisedë krejt normale se thotë “A arrite objektivin?!”. -Po!..” Po, mor po, Ne jemi parti me objektiva elektoral! I vendosim vetes qëllime elektorale dhe i arrijmë. Kemi mbështetje, kemi njerëz dhe kemi struktura. Ne jemi ata që as na blen e as na shet njeri. Por po ka një gjë që e blen shpirtin vlonjat është fjala e mbajtur dhe puna e bërë”, theksoi Gjiknuri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb