TIRANE – Debitorët e OSHEE-së do të kenë edhe 1 muaj kohë për të lidhur kontratat për pagesën e detyrimeve të prapambetura, për të përfituar 80% zbritje për kamatëvonesat. Vendimi për shtyrjen e afatit me një muaj, u bë i ditur nga ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, i cili theksoi se 31 marsi do të jetë mundësia e fundit që u jepet qytetarëve për të përfituar nga skema lehtësuese.
“Sot konstatojmë me kënaqësi se qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur pozitivisht angazhimit të OSHEE-së dhe Policinë e Shtetit. Falenderoj qytetarët që vendosën t’i japin fund abuzimit me energjinë, të cilët lidhën kontrata të reja, duke iu përgjigjur shumicës së qytetarëve të ndershëm që kanë paguar vazhdimisht detyrimet. Skema lehtësuese ka dhënë rezultate të qarta. Duke dëgjuar kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve në dhënien e një kohe shtesë për të lehtësuar pagesat, është marrë vendim që afati të shtyhet deri në 31 mars, për lidhjen e aktmarrëveshjeve me kushtet lehtësuese që kanë qenë në fuqi deri tani. 31 marsi është afati i fundit, mundësia e fundit që u bëhet qytetarëve për ta plotësuar këtë detyrim. Skema lehtësuese nuk mund të shtrihet në mënyrë permanente. Secili të paguajë për atë që konsumon, askush të mos paguajë për ata që vjedhin.”-deklaroi ministri Gjiknuri.
CELA: NGA 1 MARSI SKEME LEHTESUESE PER BIZNESET DEBITORE
Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela bëri të ditur se nga data 1 mars do të aplikohet një skemë lehtësuese për bizneset që rezultojnë debitore.
“Kategoritë e përfshira në skemë: Konsumatorët privat të linjës 35 kv, që janë industritë e rënda, ta shlyejnë detyrimin me 6 këste të barabarta brenda datës 31 dhjetor 2015. Konsumatorë privat të linjës 20-6 kv, që janë biznese të mëdha (siç janë p.sh ato të autostradës Tiranë-Durrës), duhet ta shlyejnë detyrimin me 12 këste, e ndarë në dy periudha, brenda datës 31 dhjetor 2016 për furnizimin 20/10 kv, dhe brenda 2017-s për linjat 6 kv Konsumatorët e tensionit të ulët, me 12 këste. Objektet e kultit, me 12 këste. Serat dhe pompa uji vaditëse, këste të ndara në 24 muaj.”-deklaroi Çela.
Në lidhje me radhët e gjata që janë krijuar në sportelet e kujdesit ndaj klientit të OSHEE-së për të lidhur kontratat për shlyerjen e detyrimeve, Çela deklaroi se janë marrë masat për të evituar radhët në sportele, duke hapur mbi 50 qendra në dy muaj, me orare pune deri në mbrëmje, përfshi edhe në fundjavë.

Administratori Çela u ka rikujtuar debitorëve se nuk do të ketë shtyrje të afatit për lidhjen e kontratave, çka do të thotë se në rast se nuk nënshkruhet marrëveshja, faturat do të paguhen me gjithë kamatëvonesat. Çela u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë lidhur marrëveshje për ta paguar me këste detyrimin e prapambetur, që të respektojnë afatet e vendosura si kusht, sepse në të kundërt do të dalin nga skema dhe do t’u ndërpritet energjia elektrike.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: