NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Për të paraprirë kaosin me shpalljen e fituesve dhe regjistrimet në universitet, maturantët e këtij viti në fund të tetorit i kanë dërguar një letër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Kjo letër është firmosur nga 1000 maturantë nga Durrësi, Tirana, Korça, Elbasani, por ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare nga ministrja Nikolla, edhe pse u bë një muaj që është dorëzuar.

Nëpërmjet 7 kërkesave që maturantët kanë parashtruar, kërkohet që çdo hap i procesit teknik të aplikimit dhe regjistrimit të lihet në dorë të universiteteve dhe MAS të mos marrë pjesë, pasi do krijohet kaos si u krijua këtë vit dhe shumë maturantë nga paniku se do mbeten pa shkollë, u regjistruan në degë që nuk i preferonin. Po ashtu, pjesë e kërkesave të maturantëve është që universitetet t’i shpallin kriteret brenda muajit dhjetor, në mënyrë që ata të kenë kohë të mjaftueshme që të informohen.

Ndërsa nga MAS kërkohet që udhëzimet për zhvillimin e provimeve të sivjetshme të maturës shtetërore të dalin brenda fundit të muajit dhjetor. Grupi i lëndëve preferenciale të universiteteve ishte një ndër kriteret që penalizoi maturantët në pranimet e këtij vitit akademik, ndaj në letër ata kërkojnë që lëndët preferenciale të universiteteve të bazohen në kurrikulën bazë të ofruar në arsimin e mesëm të lartë.

LETRA E PLOTË

E nderuar zonja Lindita Nikolla, Viti i fundit i gjimnazit është ura që na lidh me botën e vërtetë. Kemi filluar të kuptojmë dhe ndjejmë peshën e të qenurit i rritur. Ka ardhur momenti që ne të përballemi me zgjedhjet tona, të cilat me një fuqi krejt domethënëse po përcaktojnë edhe të ardhmen tonë. Në hapat e fundit të përgatitjes drejt hedhjes në një përmasë të panjohur, ne marrim titullin maturantë.

Përgjatë 11 viteve, ne kemi investuar që rezultatet e marra të jenë sa më të larta. Duke iu dedikuar një sistemi arsimor krejt ndryshe që na priti në portat e gjimnazit, ne bëmë zgjedhje, të cilat mendonim se do të na çonin më mirë drejt degëve të dëshiruara. Shumë prej nesh ndoqën programe studimi që nuk do t’i duheshin në të ardhmen, në mënyrë që të grumbullonim më shumë pikë. Ardhja e sistemit të ri sjell sërish në qendër të vëmendjes përgatitjen e nevojshme të nxënësve për fakultetet e zgjedhura dhe në këndvështrimin tuaj është një sistem perfekt, por jo për ne. Brezi ynë i maturantëve dhe një ose dy breza pas nesh mbase do të jenë në një vorbull ndryshimi dhe konfuzioni deri në informimin e plotë të tyre. Tranzicioni i sistemit arsimor nuk erdhi në momentin e duhur, sepse duhet të priste edhe disa vite të tjera.

Gjithsesi, ne i jemi bindur dhe po i përkushtohemi me dëshirën që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të marrë parasysh disa prej kërkesave tona për të nxjerrë të dyja palët të kënaqura deri në reformimin e plotë të maturës shtetërore. Ne ju shprehim këto kërkesa:
1. Krijimin e grupeve të informimit për maturën shtetërore dhe regjistrimin në universitete me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe fakulteteve, me qëllim organizimin e panairit kombëtar të zhvilluar në çdo qytet, ku gjimnazet e shpallura “qendra komunitare” mund të ofrojnë mjedise zhvillimi për 1-3 ditë.
2. Ministria e Arsimit dhe Sporteve, si një urë lidhëse mes maturantëve dhe universiteteve, t’u vendosë si kusht fakulteteve që në harkun kohor nëntor-dhjetor të përcaktojnë kriteret e pranimit për vitin e ardhshëm akademik.
3. Në të gjithë gjimnazet e republikës të jenë bërë të njohura udhëzimet përfundimtare për zhvillimin e provimeve të maturës shtetërore deri në fund të dhjetorit.
4. Ministria t’u kërkojë universiteteve që në kriteret e pranimit në universiteteve për vitin e ardhshëm akademik të bazohen në kurrikulën bazë të ofruar në arsimin e mesëm të lartë.
5. Ulja e kriterit të hapjes së klasave të lëndëve me zgjedhje duke bërë të mundur për të gjithë, realizimin e qëllimeve të nxënësve.
6. Procesi i aplikimeve dhe regjistrimeve të jetë plotësisht në dorën e universiteteve dhe ministria thjesht të kërkojë zbatimin e kritereve dhe afateve të shpallura që një vit më përpara nga universitetet, pa marrë pjesë në procesin teknik.
7. Program i orientimit për çdo lëndë për provimin me zgjedhje të jetë më specifik.

Gjithashtu, duke marrë parasysh eksperiencat e maturave ndër vite, ne do të donim të kishim informacion se e kujt është përgjegjësia kur:
1. Pyetjet e provimeve të maturës shtetërore janë gabim.
2. Teza e provimit del para ose gjatë provimit të maturës.
3. Provimet zhvillohen në kushte jo normale dhe aspak dinjitoze për nxënësit.
4. Nuk ka respektim të afateve kohore për zhvillimin e provimit.
5. Ndryshojnë kriteret dhe udhëzimet pas përfundimit të shkollës.
6. Nuk jepen fotokopjet e provimeve për ankimim edhe pse pagesa është bërë. Synimi ynë nuk është të kundërshtojmë sistemin, por penalizimet. Ne kërkojmë shpërblimin e mundit të 12 viteve shkollë ku kemi investuar shumë për të arritur qëllimet tona. Na e riktheni besimin se arsimi është një vlerë personale, aq sa dhe kombëtare. Merrni dhe mendimin tonë, sepse ai vlen më shumë nga të gjithë.
Me respekt, gjimnazistët.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: