Berat Gjimshiti është detyruar të largohet nga Atalanta sepse përndryshe do të rrezikonte seriozisht vendin e tij në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit. Mbrojtësi i kuqezinjve ka treguar pas ndeshjes së sotme të debutimit me Avelinon ndaj Trapanit se si shkuan gjërat derisa ai firmosi me skuadrën e Serisë B.

“Sot e ndjeva veten mirë, ndonëse isha vetëm prej pak ditësh me skuadrën. Ishte e rëndësishme që të mos pësonim gol dhe ia dolëm mbanë. Avelino është një skuadër me shumë të rinj, por edhe me futbollistë me nivel të lartë. Ka përzierjen e duhur”, tha ai për debutimin. I pyetur nga gazetarët nëse kishte folur me De Biazin për transferimin te Avelino dhe nëse ia kishte këshilluar pikërisht trajneri i kuqezinjve, mbrojtësi tregoi situatën në të cilën ishte gjendur para se të bënte këtë zgjedhje.

“Me De Biazin jo, por e kam bërë më ndihmësin e tij, Tramexani, i cili më ka thënë se duhej të gjeja një sistemim ku të luaja me më shumë vazhdimësi për të mos humbur Kombëtaren dhe se Avelinoja ishte qyteti i duhur. Ai e njeh trajnerin Toskano dhe më këshilloi të vija këtu. Në Bergamo nuk do të kisha pasur mundësinë që të luaja dhe ja ku jam, i gatshëm për të dhënë kontributin tim. Pozicioni? Me Shqipërinë kam luajtur në ndeshjen e fundit për herë të parë si mbrojtës qendre ndërsa edhe sot mendoj se gjërat shkuan mirë”, tha Gjimshiti para gazetarëve./panoramsport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb