TIRANE-Kreu i PSD­së, Skënder Gjinushi, thote ne nje interviste per “Panorama” se po punon për krijimin e një grupimi elektoral jashtë koalicionit me PS­në në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në bisedime janë PDS e Paskal Milos, por edhe parti të tjera të majta e të qendrës së djathtë. Afrimin e Dritan Priftit në PSD Gjinushi e cilëson një vendim personal të ish­ministrit të LSI, ndërsa dënon veprimet procedurale të prokurorisë së Përgjithshme në arrestimin e dy deputetëve, Doshi dhe Frroku.
Në zgjedhjet parlamentare të 2013 ju nënshkruat një marrëveshje me PS për të ndarë pushtet nëse do të fitonit. Në ç’pikë të zbatimit të saj jeni sot? Këtë periudhë ka ndodhur ajo që ndodh shpesh në politikë që me tjetër bën koalicion dhe me tjetër ndan pushtetin. Kjo hyn tek ato përcaktime që quhen inkorrektesa politike, llogari të bëra gabim, sepse aleancat e stërprovuara duhen për çdo parti që mendon në afatgjatë, duhet të jetë në gjendje të dallojë aleatët e vërtetë. PS dhe PSD kanë një histori të gjatë bashkëpunimi të patradhtueshëm. Në 2005, kur e majta doli në opozitë, PSD qëndroi me PS në opozitë dhe nuk bëri asnjë lloj pazari, edhe pse kishte 7 deputetë, ndërsa Berisha që nga 2005 ka qeverisur me ish­opozitarë të majtë, e nisi me Agraren, e mbylli me LSI­në.
Nuk ka asnjë pikë të marrëveshjes të zbatuar?
Marrëveshja vetëm një pikë ka: “Do të vazhdojë bashkëpunimi në bashkëqeverisje” apo do kalohet heshtazi, siç ka kaluar.
Ka pasur takim mes jush dhe zotit Rama për një bashkëpunim për zgjedhjet vendore të 21 qershorit?
Jo, ne kemi preferuar që në kushtet e krijuara, qoftë për ecurinë e bashkëpunimit në këta dy vjet, qoftë dhe për disa politika të maxhorancës apo qoftë për këto zhurma që ndodhin tani, të kërkojmë votën në proporcional si PSD. Pasi në çdo rast partitë marrin aq mandate sa vota kanë, e shumta ndodh që i kalojnë vota njëra­tjetrës dhe se në sistemet aktuale zgjedhore të mëdhenjtë ia kalojnë votat e të vegjëlve vetes së tyre.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: