Pavarësisht shtrirjes gjeografike që përfshin rajonin jugor, Shtëpia e të Moshuarve në Gjirokastër mirëpret banorë nga e gjithë Shqipëria. Aktualisht, kapaciteti i saj prej 60 personash është i plotësuar, ndërsa shqetësim mbetet prania e lartë e banorëve me probleme të shëndetit mendor dhe aftësi ndryshe.
Drejtoresha e këtij institucioni, Doriana Demo thotë se nga një qendër përkujdesjeje për të moshuarit që kërkojnë të mos i kalojnë të vetëm vitet e fundit të jetës, ky institucion gradualisht është shndërruar në një qendër spitalore, për shkak të problematikave shëndetësore të banorëve.
Një prej sfidave kryesore të Shtëpisë së të Moshuarve është mungesa e stafit të trajnuar, për të përballuar nevojat specifike të banorëve.
Dorina Demo thekson rëndësinë e mbështetjes familjare në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve, duke u kërkuar atyre përfshirje dhe përkujdesje.
Drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër njofton se pritet hapja e një qendre të re, e cila do të jetë e dedikuar për personat me probleme fizike dhe mendore, si dhe do të ketë personel të specializuar për përkujdesjen ndaj të moshuarve.