Një 12 – vjeçare ka humbur jetën si pasojë e flakëve në fshatin Derviçan të Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 minuta, kur të zotët e shtëpisë kanë dhënë alarmin se banesa është përfshirë nga flakët.

Pas zbardhjes paraprake të dinamikës së ngjarjes mësohet se shkak i zjarrit që shkrumboi banesën ishte një qiri, pasi prej orës 17 të pasdites së të dielës fshatrat e Dropullit ishin pa energji elektrike, ndërsa zona e Gjirokastrës prej dy ditësh është përfshirë nga reshje të forta shiu dhe ere.

Burimet pohuan se 12 – vjeçarja u izolua në banjë pasi flakët u shpërndanë në shtëpi dhe familjarët kërkonin ndihmë për të shuar zjarrin që përfshiu banesën dykatëshe.

Ky është rasti i dytë i djegjes së një banese me viktima në zonën e Dropullit brenda një periudhe prej vetëm 12 ditësh. Dy të moshuar nga fshati Hllomo humbën jetën si pasojë e flakëve shkaktuar nga një mjet ngrohës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb