Organizimet e Bashkisë së Gjirokastrës në kuadër të 16-vjetorit të përfshirjes së qytetit të gurtë në UNESCO kulmuan mbrëmjen e djeshme me një aktivitet të zhvilluar në kalanë e Argjiros. Të pranishëm kanë qenë ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përfaqësues të trupit diplomatik të disa vendeve të BE-së, deputetja e qarkut Mirela Kumbaro, drejtues të institucioneve publike, pushtetit vendor, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, etj.

Kryebashkiaku Golemi i dorëzoi “Çelësin e qytetit”, ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. “Zoti ambasador, disa pak të dëshpëruar në Tiranë që kanë kërkuar së fundi të shpalleni ‘non grata’, s’kanë asgjë të përbashkët me vlerat tona, mikpritjen shqiptare dhe vlerësimin që ne kemi për miq si ju. Jam i bindur se kaq shumë mbështetës sa ju jeni për shqiptarët dhe kaq shumë sa ju e keni promovuar Shqipërinë, do e kishit merituar një çelës në çdo qytet të Shqipërisë. Por ne në Gjirokastër u treguam më të shkathët me sa duket sepse nuk thonë kot, po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”, tha Golemi.

Për ambasadorin Soreca, qyteti i Gjirokastrës përbën një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore botërore, ndërsa Shqipëria në tërësi spikat për monumentet e kulturës. Ai pohoi se së shpejti BE do të nisi një projekt për ndërhyrjet restauruese në vlerat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe qyteti i parë në të cilin do të prezantohet ai është Gjirokastra.

Përgjatë këtij aktiviteti iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” edhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli për punën dhe kontributin e dhënë për rijetëzimin dhe restaurimin e vlerave të Gjirokastrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb