Partia Demokratike është shprehur e hapur se gjithçka tjetër përtej ndryshimeve të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore duhet të kalojë përmes Këshillit Politik.

Në një deklaratë për shtyp , Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka thënë se të gjitha palët që morën pjesë në Këshillin Politik janë të obliguara nga marrëveshjet e 14 janarit dhe 5 qershorit prandaj çdo diskutim duhet të parashtrohet në Këshillin Politik.

Bardhi shpreh kështu gatishmërinë e opozitës për t’u ulur sërish në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar çdo çështje që nuk është e përfshirë në Marrëveshjen e 5 Qershorit.

“Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit.”- theksohet në deklaratën e sotme të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb