TIRANE- Brokoli, Brassica oleracea, është një bimë perimore e cila, me shtrirjen e larmishme të kultivarëve, është përhapur kudo nëpër botë. Familja Brassicacea, së cilës i përket, përfshin rreth 3000 lloje të kultivuara.

Sipas vëzhgimeve historike, brokoli e ka origjinën nga pellgu i Mesdheut që përfshin Greqinë, Turqinë, Sirinë dhe Qipron. Por përhapja dhe fillimi i kultivimit të tij në masë lidhet me latinët. Por me gjithë punën sistematike me bimën e marrë në gjendje të egër, latinëve iu desh një kohë e gjatë për të bërë vlerësimin real të brokolit. Elozhet për këtë bimë janë të vonshme. Për një kohë të gjatë lakrat, në veçanti lakrat brokoli, konsideroheshin si “ushqim për të varfrit”. E ndoshta ky është edhe motive që nuk ka të dhëna më të sakta historike lidhur me gjenezën e bimës. Gjithsesi, në aspektin studimor të kultivimit, emërtesa e bimës të çon në përfundimin se format e kultivimit modern janë bërë në gadishullin Apenin. Ndonëse jo në përmasa të mëdha, është tejet interesant edhe debati që bipolarizon mendimin shkencor: ndërkohë që nga pjesa më e madhe e studiuesve brokoli konsiderohet si bimë e hershme, ka edhe disa mendime që e klasifikojnë brokolin si pak më të vonshëm se lulelakra.

Pjesa dërrmuese e përfaqësimit të mendimit shkencor flet për brokolin si forma e vetme stërgjyshore, prej së cilës rrjedh edhe lulelakra. Duke u bazuar në dukuritë e përbashkëta gjenotipike, të cilat lidhen me nanizmin e trungut dhe trashjen e bishtave kërcellorë të luleve, të dyja varietetet e sipërpërmendura duhet të jenë zhvilluar nga forma pararendëse të ngjashme me brokolin. Megjithatë, vetëm pas viteve 1600, kultivarët e brassica oleracea-s do të bëheshin lehtësisht të njohur në literature botanike, agronomike, si rrjedhojë e kërkesave në rritje të menuve të kuzhinës. Çuditërisht, për shumë kohë, bima e kultivuar mbeti në kufijtë e gadishullit Apenin. Në një traktat të kuzhinës franceze të vitit 1560, konfirmohet për herë të parë njohja përmes një përshkrimi të përciptë. Në Angli brokoli është plotësisht i panjohur deri në fillimin e shek. XVIII. Në SHBA, ndërsa format e tjera të lakrës kishin filluar të kultivoheshin që nga viti 1540, brokoli u rekomandua nga Thomas Jefferson në vitin 1767, pa bërë bujë. Kultivimi i brokolit mbeti për shumë kohë në qarqet amatore të horticultures dhe konsumi nisi të bëhej i ndjeshëm vetëm me hyrjen e emigracionit masiv nga Italia. Varieteti më i përhapur ishte

“Verde Calabrese”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, brokoli njohu një përhapje të gjerë si ushqim “ekzotik”. Nga fundi i shek. XIX, brokoli filloi të importohej në Lindjen e Largët, sidomos në Kinë dhe Japoni, ku shumë shpejt filloi të radhitej përbri varieteteve perimore lokale. Aktualisht, nëse në Europë njihen mirë rreth 150 varietete të kultivuara të brokolit, në vendin tonë, si një perime relativisht e re, brokoli po mirëpritet e po zgjon interes të madh, duke pasuruar kështu menunë e tryezave tona. (Living)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: