Pa Armando Brojën të dëmtuar, Chelsea pësoi një humbje të rëndë në transfertë përballë Leeds United. Blutë nuk i besonin syve teksa pas minutës së 37-të rezultati shënonte 2-0 në favor të ekipit vendas. Thomas Tuchel u përpoq të ndryshonte diçka me fillimin e pjesës së dytë, duke hedhur në fushë Pulisic dhe Ziyech, por ishte sërish Leeds që realizoi me Harrison dhe golin e tretë, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Katër pikë në tre javë i rrinë shumë ngushtë trajnerit Tuchel: “Gjithçka shkoi keq. Qartësisht ishim ekipi më i mirë në fushë, por ata shfrytëzuan gabimet tona. Nëse dhurojmë gola të tillë është e pamundur të rikuperojmë”, u shpreh trajneri i Chelsea në përfundim të sfidës.

Nuk shkëlqyen në javën e tretë të Premier League as kampionët në fuqi, Man.City. “Qytetarët” e Pep Guardiolës ngecën në një barazim 3-3 në transfertë përballë Newcastle. Pavarësisht se kaluan në avantazh me Gundogan që në minutën e 5-të, “qymyrxhinjtë” përmbysën shifrat që në pjesën e parë. Man.City e kishte të vështirë të reagonte, jo vetëm kaq, por me fillimin e pjesës së dytë Tripper me një ekzekutim perfekt dërgoi shifrat në 3-1. Erling Haaland dhe Bernardo Silva realizuan dy gola të shpejtë brenda 5 minutash duke barazuar shifrat në 3-3, por pa pamundur të dalin me pikë të plota:

“Premier League është një kampionat shumë i vështirë për të gjithë, kjo tregon se sa të jashtëzakonshëm kemi qenë në 5 vitet e fundit dhe sa e vështirë do të jetë në të ardhmen”, u shpreh Pep Guardiola pas ndeshjes.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb