Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët në Elbasan, u shpreh se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë po zhvillohen me ritme të shpejta.

I pyetur për ‘Open Balkan’, Kurti theksoi se mbledhja e sotme dëshmoi që dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria mund të dakordohen pa menduar për fqinjin verior.

“Mbledhja e sotme dëshmoi se është e mundur që Kosova dhe Shqipëria të dakordohet edhe pa menduar dhe pa e përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës. Jemi dy shtete të pavarura të  cilat e kanë ndjeshmërinë për rajonin por në të njëjtën kohë nuk pse sa herë që bashkëveprojnë ta përmendin fqinjin verior të Republikës së Kosovës. Ne sot bëmë liberalizimin për qytetarët , ndërsa në anën tjetër po shtojmë bashkëpunimin ndërmjet zyrtarëve dhe institucioneve meqenëse ky bashkëpunim është në interesin tonë dhe mirëqenia e qytetarëve në të dy anët e kufirit e kërkon një gjë të tillë. Ky bashkëpunim shprehet si në shkëmbimin e informacioneve po ashtu edhe në punët që mes Kosovës dhe Shqipërisë po hapen me shpejtësi për njëra-tjetrën dhe gjithçka tjetër është në rastin më të mirë e dorës së dytë”, tha Kurti.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama theksoi se marrëdhënia mes Kosovës dhe Shqipërisë shkon përtej tregut të përbashkët dhe se është një marrëdhënie identitare.

“Treg i përbashkët është një proces dhe nuk është një akt. Do të thotë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve mallrave kapitale dhe shërbimeve. Korniza finale është që lëvizja nga pika A në pikën B, nga cilado pika A në Shqipëri dhe cilado pikë B në Kosovë dhe kjo vlen për të gjithë rajonin të jetë një lëvizje e pandërprerë. Pavarësisht se ti kalon nga një shtet në një shtet tjetër nga pikëpamja praktike ti nuk sheh ndryshim. Sa i përket lejeve të qëndrimit ishte një absurd total dhe të gjitha sot janë hequr. Ministria e Brendshme ka lënë një 5-vjeçar se kjo duhet, po nuk pengon. Pra të gjitha këto çojnë atje ku çdo ndërveprim nuk ka më kufi, as kufi fizik dhe as kufi burokratik. Në rastin me Kosovën ne nuk kemi vetëm një marrëdhënie që është domosdoshmërisht e natyrës ekonomike dhe sociale , por është shumë më e thellë sepse është marrëdhënie identitare dhe në këtë aspekt kemi një sërë elementësh të tjerë të bashkëpunimit, dhe abetarja e unifikuar menjëherë gjen dakordësi dhe bëhet edhe projekt i Kosovës sepse marrëdhënia jonë shkon përtej tregut të përbashkët”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb