Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me protestën e paralajmëruar në datën 11 shkurt para Kryeministrisë nga kreu i PD-së, Sali Berisha.

Meta deklaroi se kjo protestë vjen si përgjigje ndaj skandalit të fundit të ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal dhe përmendjes së kryeministrit Rama në këtë çështje.

Ai shtoi se në 11 Shkurt pret një pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe se e gjithë Shqipëria do jetë atje ku duhet të jetë dhe do thotë fjalën e saj kundër kryeministrit më të korruptuar në kontinent.

“Imagjinoni për një sekondë që një skandal i tillë të ndodhte në Greqi. Aty ndodhi një skandal tjetër dhe dhanë dorëheqjen ministra e kryeministri kërkoi falje sepse ishte përgjuar nga shërbimi sekret kryetari i një partie minore dhe aty u bë nami. Këtu jo vetëm opozita është e përgjuar por gjithë shqiptarët përgjohen nga regjimi patronazhist. Ne kemi inkriminimin e zyrës së kryeministrit për të asgjësuar opozitarizimin për të instaluar një regjim korruptiv kundër interesit publik dhe të zhbëjë Shqipërinë.

Nuk shoh asnjë hall nga zoti Sali Berisha gjatë gjithë kësaj kohe. Ne jemi për çdo protestë, protesta dhe demokracia janë të pandara. Demokracia është debat, mendim alternativ dhe respekti i votës së lirë. Në 11 shkurt pres një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, e gjithë Shqipëria do jetë atje ku duhet të jetë dhe do thotë fjalën e saj kundër kryeministrit më të korruptuar në kontinent. Kjo është një protestë që vjen pas një tronditjeje nga një skandal i jashtëzakonshëm ku është përmendur kudo kryeministri i Shqipërisë.

Unë nuk jam këtu për të zbardhur skenarin e protestës, unë i them çdo shqiptari se të gjithë bashkohen për t’i thënë botës se jemi një popull dinjitoz që nuk mund ta lejojë këtë bandit në krye të qeverisë. Ne nuk mund të pranojmë që Kosova fqinje në 2 vite përmirësohet me 20 vende për mirëqeverisjen, ne në 6-7 vitet e reformës kemi rënë 26 vende. Kosova dje i rriti rrogat e mjekëve, ndërsa ne jemi një dramë e vërtetë. Ky vjedh në mënyrë të përbindshme me PPP-të që rrezikojnë stabilitetin financiar të vendit, me portin e Durrësit, me inceneratorët e çdo gjë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb