Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen “Sterilizimi”.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Gjatë seancës Ilir Beqaj ka kërkuar që të gjykohet me procedurën e gjykim të zakonshëm pasi kërkon të provojë pafajësinë e tij. Ndërsa të pandehurit e tjerë i qëndrojnë gjykimit të shkurtuar.
“Së pari, si gjyqtare e seancës paraprake, ju keni dëmtuar qëllimisht dhe të parekuperueshëm procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat e mia procedurale. Unë dhe avokati im nuk kemi mundësi të mbrohemi efektivisht për shkak të mungesës së një vendimi të ndërmjetëm të arsyetuar për akuza të reja, të papërsëritura dhe të pambështetura në prova. Ftesa për t’u mbrojtur ndaj këtyre akuzave është fiktive dhe ka për qëllim mashtrimin e procesit ligjor, duke bërë sikur janë respektuar të drejtat tona procedurale dhe kemi qenë të qartë për akuzën. Por kjo nuk është e vërtetë; ne nuk jemi informuar qëllimisht dhe as organi i akuzës nuk e ka kuptuar saktë vendimmarrjen tuaj.
Së dyti, vendimmarrja juaj është e ndikuar politikisht, konformisht dhe personalisht. Ky ndikim është vërtetuar nga duartrokitjet e z. Sali Berisha dhe znj. Albana Vokshi për akuzat politike që keni mbështetur. Po ashtu, vendimmarrja juaj përsërit vendimin e paligjshëm të gjyqtarit Erion Bani, megjithëse tani çdo gjë është parashkruar.
Së treti, ju nuk keni kontribuar në zbardhjen e plotë të së vërtetës, por keni pasur si qëllim vetëm të vërtetoni atë që keni paracaktuar. Ju dhe organi i akuzës vazhdoni të ndani dhe copëtoni pa shpjegim fazën e lidhjes dhe zbatimit të kontratës, kur në fakt, është një e tërë. Nuk ka rëndësi për ju të vërtetoni dëmet dhe shifrat e sakta, përfitimet dhe shpenzimet jashtë kontratës, apo burimet e financimit dhe shpenzimeve.
Së katërti, ju keni shtruar një ndarje artificiale të çështjes, ku ne të tre duhet të qëndrojmë në Gjykatën e Posaçme, ndërsa të tjerët të kalojnë në Gjykatën e Zakonshme. Për ju, rëndësi nuk ka nëse akuzat për vjedhje dhe grup të strukturuar kriminal vërtetohen apo jo; ajo që ka rëndësi është që çështjet të ndahen.
Së pesti, ju nuk keni ngurruar që të përfitoni nga kjo çështje, ashtu siç ka bërë gjyqtari Erjon Bani, për t’u shfaqur si gjyqtarja që ka dhënë drejtësi dhe ka orientuar hetimet në drejtimin e duhur. Por në realitet, ju po e dëmtoni të gjithë procesin, duke përmbysur hetimet, akuzat dhe gjithë procesin në mënyrë të paligjshme.
Për të gjitha këto arsye, unë nuk mund të mbrohem, por vetëm mund të denoncoj këtë situatë”, tha ai.
Ish-ministri Beqaj u tërhoq nga gjykimi i shkurtuar dhe kërkoi pushim të çështjes.
Klodian Trjepaj dhe Ilir Rrapaj kërkuan gjykim të shkurtuar dhe pushim të akuzave dhe çështjes.
Ilir Rrapaj kërkoi gjithashtu ekspertizë për të përcaktuar se sa është dëmi.
“Sa është dëmi, ku kam mashtruar dhe sa”, ka deklaruar ai në seancën paraprake.
(BalkanWeb)