Analisti Fatos Lubonja i ftuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion” ka folur në lidhje me gjobën me vlerë 3,6 mln euro të vënë nga Tatimet për fabrikën e Birrës Tirana dhe protestën e zhvilluar nga punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.

Lubonja deklaroi se kjo gjobë është vendosur në kuadrin e luftës që po i bëhet News24 për shkak të pronësisë së dy ndërmarrjeve.

Sipas tij kjo është një “simptomë” e qartë se si një shtet që nuk ka treg të lirë kërkon të kapë gjithë bizneset në vend, sidomos kur janë të lidhura me mediat.

Ai shtoi më tej se kjo është një luftë për krijimin e “partisë shtet” dhe për të eliminuar edhe fjalën e lirë.

“Unë e kam parë në kuadrin e luftës politike që i bëhet News24 se pronari është i njëjti. Këtu vijmë te një çështje që lidhet me këtë. Në fund të fundit ata teoricienët që flasin për tregun e lirë nuk e mbrojnë aq shumë sepse kështu bëhesh më i pasur, por e mbrojnë me tezën që të jep më shumë liri, sepse po e pati shteti ke më pak liri. Tani kjo është simptomë e qartë se si një shtet që nuk ka treg të lirë kërkon të kapë gjithë bizneset, sidomos kur kanë dhe lidhje me mediat. Është një luftë për krijimin e partisë shtet për të eliminuar edhe fjalën e lirë. Është shantazh dhe lidhet me eliminimin e mediave”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb