TIRANE – Efektivi Besmir Karaj ka dorëzuar në prokurori një padi ndaj Bashkisë së Tiranës, pasi pretendon se i kanë falsifikuar firmën duke vendosur në emrin e tij një gjobë ndaj Partisë Demokratike, për dëmet e shkaktuara gjatë protestës së 8 dhjetorit.

Efektivi Besmir Karaj është djali i kryetarit të Partisë Demokratike të Fushë-Krujës, Sabri Karaj. Ai thotë se gjobën e ka parë në rrjetet sociale dhe shkrimi e firma në fletë nuk janë të tijat.

“Gjobën e pashë në rrjetet sociale, nuk kam qenë në punë. Blloku i gjobave mu kërkua nga eprori. Më pas bllokun e gjobave e mori shefja e kabinetit. Shkrimi dhe firma në gjobën e PD nuk është e imja. Më thane se gjobën e vunë për show mediatik.”- tha Karaj.

Dy ditë më parë, pas protestës së opozitës, Bashkia dërgoi në zyrën e Bashës faturën e dëmeve të shkaktuara në kryeqytet, me një vlerë plot 163 milionë lekë.

Ndërkohë kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili u distancua plotësisht nga aktet e dhunës në tubimin e së martës, tha se nuk do ta paguajë gjobën prej 163 milionë lekësh të vendosur ndaj selisë blu nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Do t’i çojmë një kastravec 163 milimetra të gjatë”, – deklaroi Basha.
(er.nu/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: