“Kur filloi kënga ‘Xhamadani vija-vija, është Kosova o është Shqipëria’ unë vesha kostumin kombëtar, fustanellën dhe flamurin kombëtar, këtë flamur në shtizë”.

Ky veprim i ka kushtuar shume ish-sportisti shkodran 64-vjeçar Irfan Domnori. Mjaftoi që të valëviste flamurin kuqezi e të vishej me kostum popullor shqiptar gjatë festës së gështenjave në fshatin shqiptar Krajë në Malin e Zi që shkodrani të gjobitej nga gjykata e Tivarit me 300 euro gjobë dhe një muaj ndalim në shtetin malazez.

“Mbaroi koncerti dhe kur do ktheheshim, duke dashur për të ardhur në Shkodër, dy policë më ndaluan dhe më kërkuan kartën e identitetit. Kë bërë një shkelje, ke bërë një veprim që duhet të dënohet dhe duhet për më u mbajt, me shku në polici dhe po më thoshte se ke bërë shkelje se ke ngritur flamurin shqiptar. Më vonë dy policët e tjerë më morën, shkuam në gjykatën e Tivarit, u mor vendimi që me u dënu me gjobë 300 euro dhe një muaj mos me hy në Mal të Zi për këtë shkelje që kam bërë që kam ngritur flamurin shqiptar”, tregoi Domnori.

64-vjeçari jo vetëm që nuk ndihet i ofenduar, por ndjen krenari që përfaqëson Shqipërinë në këtë mënyrë në aktivitetet përtej kufirit.
“Edhe ndalimi që më ka bërë policia për mua është krenari sepse më ka ndaluar për flamur kombëtar, më ka ndalur për veshje kombëtare. Unë e ndiej veten shkëlqyer, e ndiej veten shumë mirë por është një ngjarje e papëlqyeshme për ta, jo për ne. Për ne është ngjarje e shkëlqyeshme, s’ka pse me qenë fyerje për mua kur unë çoj flamurin kombëtar”, tha më tej ish-sportisti.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë 64-vjeçari ka kaluar për në Malin e Zi me biçikletë teksa valëviste flamurin kuqezi, por nuk ka pasur probleme te tilla. Deri më tani askush nga autoritetet shqiptare nuk ka reaguar për ngjarjen përveç nënkryetarit të Parlamentit malazez, i cili dënon masën ndaj shqiptarit.

“Sa herë e herë kam kaluar këtej. Sa herë e herë në aktivitete të ndryshme me kostum e flamur, asnjëherë e askush nuk ka thënë asgjë. Unë kam kaluar edhe në maratonë, qysh në 2012 në maratonën e pavarësisë Ulqin-Shkodër me flamur në dorë dhe duke kaluar nëpër doganën e Malit të Zi me këtë flamur. Reagimi prej zyrtarëve tanë, institucional që janë të shtetit tonë nuk kam pasur deri tani, askush nuk ka asnjë lloj lidhje me mua. Me përjashtim të Genci Nimanbegut që është nënkryetar i parlamentit të Malit të Zi”, thotë më tej Domnori.

Pavarësisht këtij incidenti Domnori thotë që nuk do të tërhiqet nga aktivitetet sociale përtej kufirit të cilat përherë i shoqëron në këtë mënyrë origjinale, i veshur me kostumin tradicional dhe flamurin kuqezi.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga pakicat në Mal të Zi është bërë shpesh objekt debatesh midis forcave politike shqiptare dhe zyrtarëve malazezë.

Në Mal të Zi jetojnë përveç malazezëve edhe shqiptarë, serbë, boshnjakë, myslimanë, kroatë dhe romë. Sipas kushtetutës së Malit të Zi, ata kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre, por me ligjin për rendin publik, përdorimi i simbolit kombëtar duhet të bëhet përkrah flamurit malazez.

Sipas ligjeve të Malit të Zi, kur një qytetar mban në publik një flamur, stemë ose një simbol të një shteti tjetër pa autorizim, gjobitet me 100 deri 500 euro ose me burgim deri në 30 ditë.

Partitë politike shqiptare, përmes deputetit të tyre në parlament Genci Nimanbegu, propozuan vitin e kaluar ndryshimin e ligjit, duke kërkuar heqjen e gjobave për ngritjen e simboleve kombëtare, por propozimi nuk u miratua.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb