Fiks Fare ka sjellë në vëmendje sorrollatjen e një qytetari nga Sukthi, i cili u penalizua padrejtësisht nga Policia e Qarkullimit Rrugor Lushnje. Për tre ditë me radhë Alvin Hajdini pezulloi punën, pasi iu mor patenta padrejtësisht.

Qytetari nuk figuronte në fotografinë e kapur nga radari, megjithëse në fletën e gjobës figuronte targa e makinës së tij. “Po kaloja në autostradën Lushnje-Fier, kur më ndaloi policia. Më vunë gjobë për kalim shpejtësie si dhe më morën patentën. Unë refuzova dhe iu thashë që nuk e kam kaluar shpejtësinë 100 km në orë, por ata më thanë që isha kapur në radar”, u shpreh Alvin Hajdini.

Fill pas kësaj ngjarjeje nis edhe odiseja e qytetarit. Tri ditë me radhë ai iu drejtua Policisë Rrugore të Fierit, pasi kjo e fundit bëri verifikimet midis automjetit që kishte fotografuar radari dhe automjetit të qytetarit ngriti komision. “Kam lënë punën tre ditë rresht. Kam shpenzuar karburant për të shkuar në Fier. U interesova në Policinë e Qarkullimit Rrugor, Fier dhe pashë se në fotografinë e kapur nga radari figuronte një automjet tip Volsvagen, ndërsa unë e kam Ford”, u shpreh qytetari.
Të njëjtin verifikim bëri edhe oficeri i turnit, i cili fotografoi automjetin e qytetarit. Pas tre ditësh komisioni i dha të drejtë qytetarit duke i rikthyer patentën dhe zhvlerësuar gjobën në shifrën zero. Por për dëmin ekonomik që i solli kjo situatë qytetarit, i cili ishte krejtësisht i pafajshëm nuk mbajti përgjegjësi asnjë institucion.

“Askush nuk më dëmshpërbleu edhe pse unë u stresova dhe harxhova para. Kështu është në këtë vend ku jetojmë ne”, përfundoi Alvin Hajdini.

Verifikimi i makinës së Alvin Hajdinit me makinën që është kapur nga radari
Punonjësi i policisë, Fier: Tani mua Lushnja më ka sjellë një dokument ,me këtë targë makine, marrje patente për shpejtësi. Unë patentën nuk mund ta jap pa e dokumentuar.
Qytetari: Çfarë faji kam unë, dje kam ardhur në Komision?!
Punonjësi i policisë, Fier: As unë s’kam faj! Nuk e vë në dyshim që është bërë gabim. Ai që ka bërë gabim të mbajë përgjegjësi. Ti ke të drejtën tënde, me shumë të drejtë ke të drejtën tënde. Duhet të më sjellësh letrën e saktë që ta vërtetoj.
Qytetari: Jo nuk është e imja, si i bëhet tashti… Se unë fola me shefin
Punonjësi i policisë, Fier: Me kë shef?
Qytetari: Me të Lushnjës.
Punonjësi i policisë, Fier: Ça tha?
Qytetari: Ai më tha mua shko atje, provo vetë fol me të.
Punonjësi i Policisë, Fier: Po mirë, shumë mirë.
Qytetari: Tha shko njëherë aty, se mos merresh vesh me të, më tha mu. Po mua më duhet patenta o shok! Më duhet se s’bën patenta mua sot.
Punonjësi i Policisë, Fier: Ke të drejtë ti po unë s’mund të jap ty dot patentën, pa marrë informacionin zyrtar nga ata që të kanë kapur. Do ta sqaroj deri në fund këtë.
Qytetari: Ufff ç’na stresuat mor burrë. Po mirë sipas teje, si të duket kjo ty? Ford të duket kjo makinë ty?
fiks2
Punonjësi i Policisë, Fier: Jo!
Qytetari: E ke dhe aty orën ekzakt si ajo, 15 e 22 min e 52 sekonda, siç e ka shkruar ajo që e ka kap me radar.Pritja për të hyrë në komision
Qytetari: Një sekondë t’i them një fjalë.
Oficeri: Po qenke i bezdisur o djalë. Po do punojmë ne apo do të dëgjojmë ty?
Qytetari: Çfarë të bëj unë tani?! Të iki a të bëj, se u bënë 4 ditë që po vij këtu.
Oficeri: Dëgjo o djalë, po deshe ik. Do të ta heq patentën tani?
Qytetari: Të ma heqësh patentën?!
Oficeri: Po, ta heq patentën sipas komisionit që kanë sjellë.
Qytetari: Po hiqe patentën.
Oficeri: Po prit radhën, prit radhën. U heqka patenta! Prit radhën se do të thërras unë.
Qytetari: Po kam 4 ditë që po vi mo vlla, kam lënë punën. Ai i bie tani, më thua hajde në mëngjes herët në radhë.
fiks1

Oficeri: O zotëri, prit radhën se do të thërras unë. Do të bëj unë procedurat, se deri tani nuk kam parë letër të kallëzuar, unë ta sqarova dje.
Qytetari: Po fola dje me shefin. Shefi tha i ka çuar që dje letrat. Tani po talleni me mua ju, si është puna?
Oficeri: Djali, dil po deshe se kam punë unë. Prit radhën thashë. Kur të thërras, se do të thërras prapë. Prit radhën!
Biseda në Komisionin e patentave, Policia e qarkullimit Rrugor Fier
Punonjësi i policisë: Ne nuk mund të veprojmë pa shkresa.
Qytetari: Unë nuk kam faj fare mo vëlla.
Punonjësi i policisë: Edhe një herë, edhe një herë, ne nuk po themi që ke faj ti. Ne ta treguam se ku është faji.
Punonjësi i policisë: Fajin e ka ai që e ka drejtuar nga andej dhe e ka sjellë këtu pa e parë foton. Fordin me Passat?!
fiks
Punonjësi i policisë: Edhe një herë, çdo gjë bëhet. Jemi njerëz.
Qytetari: Në qoftë se jam me shpejtësi të madhe ma hiq patentën mo vëlla.
Punonjësi i policisë: Në rrugë ti e di, po vriten edhe njerëz nga pakujdesia, jo më kaq se nuk është berë ndonjë qamet i madh.
Qytetari: Po unë shpenzimet e mia që kam lënë punën tre ditë, mbrapa kësaj pune. E kam për detyrë unë?
Punonjësi i policisë: Ta thashë dhe një herë ke të drejtën e Zotit, ka gjyqe ta ndjekësh në rrugë ligjore. Ai që e ka bërë të përgjigjet.
Qytetari: Po atë e di vetë unë.
Punonjësi i policisë: Po kur e di vetë pse na pyet ne pastaj, pse na i thua ne? Gabimet njerëzore janë këto. Ai që e ka bërë gabimin ta mbajë fajin. Ne na erdhi shkresa tani. Ne do të penalizojmë si gjykatë që jemi, do të penalizojmë atë ose ty. Këtu te shkresa do të penalizojmë policin edhe ti do të vazhdosh punën tënde. Do ta vazhdosh ti për veten tënde vazhdoje, që të gjesh shpenzime e çfarë thua.
Punonjësi i policisë: Emër, mbiemër këtu lart. Ajo është që ti ke qenë këtu në komision dhe ke një vlerë për të paguar 0 Lekë. Urdhëro patentën. Bashkë të treja këto, 500 lekë të vjetra tek posta. Mirupafshim, kalofsh mirë!
Qytetari: Faleminderit!/tch

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: