Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nga foltorja e Kuvendit deklaroi se me raportin e KE-së u vulosën detyrat e bëra nga Shqipëria.

“Raporti i këtij viti konfirmoi se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Tani është radha e vendeve anëtare për të konfirmuar çeljen e negociatave. Reforma në drejtësi, lufta ndaj krimit e korrupsionit janë lajtmotivi i këtij raporti. Jam krenare për arritjet e deritanishme”,- tha Gjonaj.

Ajo nënvizoi se, që nga gjykatat e deri tek institucionet e tjera të drejtësisë do ngrihen brneda vitit.

“Reforma në Drejtësi po zbatohet me ritme të kënaqshëm, ne garantojmë të kemi një sistem drejtësie të bazuar tek profesionalizmi, aty ku qytetarët të kenë besim. Së shpejti do të zgjidhen anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, do të ngrihet SPAK e do të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm. Të gjitha institucionet e drejtësisë do të jenë funksionale dhe në shërbim të qytetarëve”,- vijoi ajo.

Ministrja nuk nguroi t’i lëshojë një apel edhe opozitës, kur bëhet fjalë për integrimni e vendit.

“Muaji që kemi para nuk duhet të jetë një kohë konfliktesh të pakuptimta. Opozita të dalë jashtë interesave të vogla, të heqë dorë nga politika destruktive”,- vijoi ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb