TIRANË

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, foli në Kuvend këtë të enjte, duke iu bërë thirrje deputetëve që të votojnë për ligjin për traktatin e ri të ekstradimit.

Gjonaj theksoi se SHBA ka dhënë një mbështetje të fuqishme ndaj Shqipërisë për reformën në drejtësi.

“Traktati i ri i ekstradimit është dëshmi e qartë dhe provë e mbështetjes ndaj SHBA-ve. Mbështetja politike dhe teknike e SHBA ndaj Shqipërisë vazhdon të jetë e pakushtuzuar, për reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit.

Historia ia rezeroi nderin këtij Kuvendi, traktaktin e ekstradimit. Iu ftoj që të votoni unanimisiht traktatin për ekstradimin”, u shpreh Gjonaj.

Fjala e plotë:

Ndjehem shumë e vlerësuar për të paraqitur përpara këtij Kuvendi për miratim, një projektligj me rëndësi historike për Shqipërinë, ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky traktat që vjen pas 87 vjetësh, zëvëndëson Traktatin e parë dy palësh të esktradimit, të nënshkruar në vitin 1933, i cili shënoi hyrjen në fuqi në vitin 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA në atë kohë dhe Cordell Holl, Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara.

Nënshkrimi i këtij traktati të ri të ekstradimit midis dy vëndeve tona në 22 Dhjetor 2020, së bashku me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara zonjën Yuri Kim, i hapi rrugë vijimit të procedurës për ratifikimin e tij në Kuvend.

Marrëveshja e re e ekstradimit shënon një hap të rëndësishëm përpara bashkarisht në luftën kundër krimit, duke ofruar kështu instrumenta të rinj për të luftuar me efikasitet edhe format e reja të kriminalitetit dhe për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale dhe forcimin e instrumentave për vënien përpara drejtësisë të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dy vendet tona.

Nëpërmjet këtij traktati, krijohet kuadri i ri rregullator për aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve amerikanë dhe atyre shqiptarë, duke zgjeruar kështu dhe përditësuar kategoritë e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor, doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike dhe çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një  viti  apo për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik.

Traktati i ri lehtëson funksionimin e procesit të ekstradimit ndërmjet palëve duke përfshirë ekstradimin në rastet e ndjekjes penale, në vënien në ekzekutim të vendimit të gjykatave si dhe vuajtjen e një denimi për një vepër penale të ekstradueshme.

Traktati i ekstradimit shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur për të garantuar bashkëpunimin sa më të efektshëm ndërmjet dy shteteve tona në luftën kundër krimit, ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, për të mos lejuar asnjë shmangie të zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri.

Ky traktat është rezultat i një bashkëpunimi tejet të ngushtë mes dy qeverive tona po ashtu si dhe i një procesi pune të vështirë dhe të gjatë mes përfaqësuesve teknikë te grupeve negociatore dypalëshe, përfshirë këtu edhe Prokurorinë e përgjithshme.

Gjej rastin sot të falenderoj përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe përfaqësuesit e institucioneve shqiptare të angazhuar në këtë proces, për kontributin e tyre të çmuar.

Të nderuar deputetë,

Qeveria shqiptare dhe kjo maxhorancë ka patur vullnetin e palëkundur në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, dhe traktati i ri i ekstradimit, është një dëshmi e qartë, por ashtu sic është edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët.

Mbështetja politike dhe teknike e SHBA për shtetin shqiptar ka qënë dhe vazhdon të jetë në vazhdimësi, një mbështetje e pakushtëzuar për konsolidimin e shtyllave të shtetit të së drejtës, për reformën në drejtësi, për luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit. Është rasti ti shpreh një mirënjohje të veçante për angazhimin e dedikuar në këtë proces ambasadores të SHBA-ve znj. Yuri Kim, drejtueses së OPDAT dhe stafit të tyre.

Historia ja rezervoi nderin këtij Kuvendi për të ratifikuar Traktatin e ekstradimit, i konsideruar i tillë jo vetëm për moshën e traktatit që zëvëndësojmë por edhe për cilësinë dhe rezultatet shumë efikase që presim të sjellë.

Ndaj ju ftoj të nderuar deputetë, të votoni unanimisht ratifikimin e traktatit të ri të ekstradimit midis qeverisë së ShBA-ve dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Faleminderit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb