Përmes iniciativës ligjore për projektligjin për përkthimin zyrtar dhe përkthyesit zyrtarë u adresuan një sërë çështjesh dhe problematikash të hasura ndër vite nga Ministria e Drejtësisë, si autoriteti i vetëm përgjegjës në Republikën e Shqipërisë për kryerjen dhe përgjegjësinë e shërbimit të përkthimit zyrtar.

“Është me rëndësi të veçantë të përmendim një risi, jo vetëm në punën tonë por edhe në fushën e politikave sociale, përfshirjen për herë të parë në këtë ligj, në mënyrë të plotë dhe ligjore, të statusit të interpretit të gjuhës së shenjave” shprehet ministrja Gjonaj përmes rrjetit social Facebook.

Interpreti i gjuhës së shenjave është jo vetëm personi që mundëson komunikimin me një person që nuk dëgjon dhe/ose nuk flet, pjesërisht ose plotësisht, nga gjuha e shenjave në gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi por edhe personi i cili përfshihet në kategoritë më specifike të politikave sociale të Qeverisë së Shqipërisë.

Mos harrojmë, gjuha e shenjave është një mjet thelbësor i komunikimit për dhjetëra mijëra njerëz të shurdhër në të gjithë botën, por në disa vende, ajo është ”një e drejtë për të gjithë”.

Në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë tashmë do të përfshihen edhe interpretët e gjuhës së shenjave, të cilët do t’i nënshtrohen konkurimit sipas kritereve specifike dhe certifikohen nga Ministri i Drejtësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: