Task Forca Antikorrupsion nisur nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve në platformën shqipëriaqëduam.al, këtë javë ka ushtruar kontroll pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë ku janë marrë 7 masa disiplinore.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj duke folur për rezultatet e arritura gjatë kësaj jave të Task Forcës Antikorrupsion tha se inspektimi është kryer pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë lidhur me respektimin e kërkesave ligjore në ushtrimin e funksioneve rregullatore për lejet e mjedisit, dhënien e lejeve mjedisore, monitorimin e gjendjes së mjedisit, vlerësimin e ndikimit në mjedis, monitorimin e pyjeve, sistemin e informacionit mjedisor, bashkëpunimin me inspektoratet në zbatim të legjislacionit mjedisor, dhe kontratat e lidhura në përfundim të procedurave të prokurimit.

“Në 39 praktika janë evidentuar shkelje të afateve për shqyrtimin e aplikimeve, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kërkesave të posaçme për shqyrtimin e kërkesave për leje mjedisi të Tipave A, B dhe C, për transferimin e lejeve nga një subjekt te tjetri, të kushteve për lejet respektive të mjedisit, si dhe rregullave të hollësishme për shqyrtimin e tyre nga Autoritetet Kompetente deri në lëshimin e këtyre lejeve nga QKL-ja””, shtoi Gjonaj

“Mos administrim në praktika i korrespondencave me pushtetin vendor apo edhe me agjencitë e tjera për subjektet që kërkojnë të pajisen me leje mjedisi, të cilat shpeshherë janë të konsideruar si formale. Moskryerja e verifikimeve në terren nga ana e strukturave të ARMD, në rastet e mospërputhjes të dokumentacionit të pronësisë të ambienteve, në kundërshtim kjo me ligjin “Për lejet e mjedisit”; Si dhe për Mosndjekjen e procedurave verifikuese lidhur me kontratat për përpunimin e mbetjeve spitalore”, shtoi ministrja Gjonaj

“Për të metat e konstatuara dhe të evidentuara në këtë raport kontrolli, lidhur me respektimin e kërkesave ligjore në ushtrimin e funksioneve rregullatore për lejet e mjedisit janë rekomanduar 7 masa disiplinore; Mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në tre muaj” për 4 specialistë të mjedisit; Masë disiplinore “vërejtje me paralajmërim për shkarkim”, për 3 specialistë të mjedisit”, vijoi ajo.

“Janë rekomanduar dhe masa administrative për përmirësimin e veprimtarisë të institucionit dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore. Gjithashtu, nga strukturat kundër korrupsionit, në Policinë e Shtetit, në javët që lamë pas, janë evidentuar 19 vepra penale, janë proceduar penalisht 35 autorë dhe janë arrestuar 5 prej tyre”, shtoi Gjonaj

Gjonaj gjithashtu theksoi dhe vendosmërinë e Qeverisë për t’i shkuar deri në fund betejës së reformimit të administratës publike, pa asnjë kompromis dhe pa toleruar askënd që shkel ligjin apo përfshihet në praktika korruptive.

“Duke iu bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të denoncojnë në platformën shqiperiaqeduam.al, çdo rast korruptiv apo abuzim me detyrën nga punonjësit e administratës publike, ju garantojmë se çdo ankesë dhe denoncim do të ndiqet për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që abuzojnë me detyrën” përfundoi Gjonaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb