TIRANE

Gjatë një konference ku merrte pjesë edhe prokurori i anti-mafias italiane, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka thënë se janë marrë masa për rritjen e sigurisë në burgje dhe se prokurori De Raho sjell ne vendin tone eksperiencën italiane.

Gjonaj u shpreh se reforma në drejtësi po jep frytet e para dhe së shpejti do prezantohet paketa antikrim.

“Masa për rritjen e sigurisë ne burgje. De Raho sjell ne vendin tone eksperiencën italiane dhe lufta kundër krimit mbetet prioritet absolut. Paketa antikrim do prezantohet shume shpejt. Reforma ne drejtësi po jep frytet e para dhe jemi ne faze vendimtare për te ardhmen europiane. Vendi ynë ka ndërmarrë veprime të jashtëzakonshme për hapje e bisedimeve për anëtarësimin. Ky do jetë një proces i gjatë, por ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshme. Hapja e negociatave do të sjellë një mirëqenie më të madhe”- tha Gjonaj.

Fjala e plotë e ministres Gjonaj:

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen dhe të falenderoj personalisht për pjesëmarrjen në këtë konference që po zhvillojmë sot, Prokurorin Kombëtar të Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizëm në Itali, Z. Federico Cafiero De Raho së bashku me delegacionin që e shoqëron, Z. Cesare Sirignano, Zëvendës Prokuror Kombëtar, përgjegjës për shërbimin e të dënuarve të Drejtorisë Kombëtare Anti-Mafia dhe anëtar i komisionit për përcaktimin e programeve të mbrojtjes për dëshmitarët dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe Znj. Maria Vittoria de Simone, përgjegjëse për shërbimin e masave parandaluese në Drejtorinë Kombëtare Antimafia.

Nuk është hera e parë që Z. De Raho vjen në Shqipëri duke dëshmuar qartë faktin se ai tashmë është një mik i vendit tonë, por është hera e parë që vjen me ftesë të Ministrit të Drejtësisë dhe unë kam nderin e veçantë ta pres në mjediset e këtij institucioni. Aktiviteti i sotëm përkon me një moment shumë të rëndësishëm të luftës që po zhvillon Shqipëria kundër krimit të organizuar dhe të masave konkrete që po ndërmerren në kuadër të kësaj lufte.

Pikërisht përkon me masat që kemi marrë për të rritur sigurinë në sistemin e burgjeve në përgjithësi dhe kryesisht për anëtarët e grupeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit që ndodhen në institucionet tona penitenciare. Ky takim përkon me hyrjen të ndryshimeve të ligjit, ‘’Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve’’, ose të regjimit të posaçëm të sigurisë së lartë, i ashtuquajturi nga të gjithë neni 41 bis, pasi origjina e tij është pikërisht modeli italian 41 bis.

Dua të falenderoj edhe njëherë Prokurorin De Raho dhe delegacionin shoqërues për mbështetjen e ofruar në këtë aspekt dhe gatishmërinë e tyre për të sjell në këtë tryezë eksperiencën italiane, e cila do jetë mjaft e nevojshme jo vetëm për të kuptuar këtë regjim të posaçëm sigurie dhe rëndësinë e tij, por edhe për ta vënë në zbatim në mënyrën më efikase dhe në përputhje me të gjitha normativat në fuqi, përfshirë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjithashtu dua të falenderoj edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, z. Luigi Soreca i cili ka pranuar me kënaqësi ftesën për pjesëmarrje në këtë aktivitet dhe që ndodhet këtu sot jo vetëm si Ambasador i Delegacionit Evropian në Tiranë, por edhe si person me një eksperiencë të konsoliduar në fushën e sigurisë dhe në përcaktimin dhe zhvillimin e aktiviteteve dhe praktikave më të mira në legjislacion, në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.

Lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj në këtë sfidë madhore. Italia si vend fqinjë por edhe të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë qenë gjithmonë pro aktive dhe të pranishme në çdo iniciativë të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.

Ky është një hap më tej në konsoldimin e kësaj lufte, hap që do të shoqërohet nga iniciativa të tjera siç është paketa antikrim e cila do të prezantohet shumë shpejt dhe që ka si synim ndryshime legjislative dhe ndërhyrje thelbësore në kuadrin ligjor aktual, përfshirë edhe reformimin e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Këto iniciativa do të ecin paralelisht edhe me zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila tashmë është rrugën e duhur dhe po jep frytet e para. Aktualisht janë ngritur dy institucione tepër të rëndësishme që janë Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe së shpejti pritet dhe ngritja e SPAK, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, strukturë e cila do të përbëhet nga Prokuroria e Posaçme si dhe Njësia e Posaçme Hetimore me emrin “Byroja Kombëtare e Hetimit”, BKH, në varësi të saj.

Ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi, do të krijojë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kallëzimeve penale në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike.

Një aspekt mjaft i rëndësishëm në këtë kontekst është dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjitha agjencive ligjzbatuese si në vend dhe jashtë tij, veçanërisht bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilat zënë rolin kryesor për vënien në zbatim të të gjitha masave legjislative të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare.

Në fokusin tonë është e do vijojë të jetë forcimi i bashkëpunimit me vendet e tjera për hetimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, përmes shkëmbimit reciprok të informacionit dhe dhënies së ekspertizës, një bashkëpunim që deri tani ka dhënë rezultate mjaft të mira e konkrete, veçanërisht me palën italiane.

Marrëveshja me EUROJUST është një tjetër marrëveshje që do të sjellë një hop cilësor në kryerjen e hetimeve transnacionale, edhe me ndihmën e prokurorit të posaçëm ndërlidhës pranë strukturës Eurojust, në Hagë dhe njëkohësisht do t’i japë një tjetër impuls luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit transnacional dhe një tjetër dimension bashkëpunimit në kuadër të kësaj lufte.

Dhe për këtë, jemi përfshirë tashmë në bisedime së bashku me EUROJUST lidhur me masat për zbatimin e marrëveshjes dhe ato që do të ndërmerren gjatë fazës kalimtare deri në caktimin e prokurorit ndërlidhës pranë kësaj strukture.

Hyrja në fuqi e marrëveshjes me EUROJUST do t’u mundësojë prokurorëve shqiptarë të forcojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre nga vendet që aderojnë në

këtë strukturë (duke përfshirë bashkëpunimin me vende partnere në rajon, si Maqedonia dhe Mali i Zi), do të rrisë shkëmbimin e informacionit gjyqësor dhe do t’i mundësojë Shqipërisë praninë e përhershme të një prokurori ndërlidhës në zyrat e EUROJUST në Hagë.

Kjo do të kontribuojë drejtpërsëdrejti në rezultatet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit, do të rrisë besimin në kapacitetet tona hetimore dhe do ta sjellë Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian. Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare për të ardhmen e saj europiane, dhe shpresojmë që në muajin qershor, Këshilli Europian të marrë vendimin për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, për anëtarësimin e saj në BE.

Vendi ynë ka ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për përafrimin me standardet europiane dhe përmbushjen e kritereve për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin. Për të gjithë palët e përfshira, është e shumë e qartë se ky do të jetë një proces shumë i gjatë dhe ne ende nuk i kemi shteruar të gjitha mundësitë tona.

Ajo që mund të themi me gojën plot, është se kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Hapja e bisedimeve për anëtarësimin në BE, është një hap kuptimplotë për shqiptarët, drejt një të ardhmeje të sigurt dhe mirëqenieje më të madhe. Por le t’i kthehemi luftës kundër krimit të organizuar dhe zbatimit të 41 bis, çështje për të cilën jemi mbledhur sot.

Ne jemi të vendosur të vijojmë me zbatimin efektiv të këtij regjimi, i cili është miratuar pas një kërkese të përbashkët të të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, si një regjim që synon të neutralizojë rrezikshmërinë dhe lidhjet e të burgosurve, të dënuar ose në paraburgim, me organizatat e tyre kriminale. Ndaj dhe njëherë dua të theksoj rëndësinë që do të ketë në këtë aspekt bashkëpunimi dhe mbështetja e Italisë dhe e vendeve të BE-së.

Duke ju falenderuar personalisht për mbështetjen tuaj personale ndaj meje por edhe ndaj ekipit të Ministrisë dhe Prokurorisë shqiptare ku të gjithë së bashku t’ja dalim për të patur rezultate në sfidën e luftës kundër krimit të organizuar, si një sfidë jo vetëm shqiptare por një sfidë që ju përket të gjithë vendeve evropiane.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: