TIRANE– Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, priti sot në një takim përfaqësues të një grupi ish-të dënuarish politikë të regjimit komunist, pas kërkesës së tyre për të marrë informacion lidhur me dosjet e tyre për dëmshpërblim.

Gjatë takimit, dhe pas ballafaqimit me strukturat përgjegjëse në Ministri, dolën në pah disa problematika dhe vonesa lidhur me trajtimin e mëparshëm disavjeçar të dosjeve të ish-të dënuarve.

Ministrja Gjonaj mori përsipër ngritjen e një praktike të re pune në Ministrinë e Drejtësisë, që do të ketë në fokus rishikimin e të gjitha kërkesave për dëmshpërblim që janë ende në shqyrtim në Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë kuadër, ministrja u premtoi ish-të dënuarve transparencë të plotë dhe përgjigje në afate të shkurtra lidhur me statusin e dosjeve të tyre.

Ministrja e Drejtësisë u angazhua personalisht për trajtimin me objektivitet dhe paanësi të të gjitha kërkesave për shqyrtim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb