Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u mbajt analiza vjetore e punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në takim të pranishëm ishin, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, Arben Çuko si dhe 24 drejtorët e sapozgjedhur të IEVP-ve në vend.

Gjatë analizimit të situatave dhe problematikave të vërejtura në këto Institucione, Ministrja Gjonaj tha se një punë e madhe po bëhet për ridizenjimin e sistemit penitenciar, përmes një reformimi strukturor dhe ligjor.

Këto ligje sipas ministres do të rregullojnë mënyrën e rekrutimit, transferimit, daljes në pension apo dhe shkarkimit të një punonjësi të policisë së Burgjeve, duke i dhënë fund ndërhyrjeve politike dhe duke mundësuar një status të veçantë për punonjësit e policisë së burgjeve.

Sipas Ministres së Drejtësisë viti 2018, është viti i reformave të mëdha në sistemin penitenciar. Pas reformës për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të IEVP-ve do të ndryshojë edhe mënyra e rekrutimit të deritanishëm për punonjësit e burgjeve, të cilët do t’i nënshtrohen gjithashtu procesit të vettingut.

Duke kërkuar rezultate në punë nga ana e drejtuesve të rinj, Ministrja Gjonaj rinënvizoi edhe njëherë detyrat që ata duhet të përmbushin në periudhën tre mujore të provës, detyra që kanë të bëjnë me sigurinë në burgje, luftën ndaj korrupsionit në stafin e institucioneve, dhe mënyrën e trajtimit të të dënuarve.

Ministrja gjithashtu i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe zbatimit të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, duke theksuar se mosrespektimi apo zbatimi i këtij dokumenti do të jetë përgjegjësia direkte e drejtorëve të Burgjeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb