Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha përmes një mesazhi në ‘Facebook’ ka reaguar në lidhje me disa projekte në kryeqytet, ndërsa ka akuzuar bashkinë e Tiranës për prishje të monumenteve të kulturës.

Teksa ka nxjerrë një foto nga kryeqyteti, Gjosha thekson se ditën e hënë është prishur mozaiku i Tiranës. Sipas Gjoshës, në fund të mandatit kjo qeveri po shkatërron e tjetërson çdo pasuri kulturore e publike.

REAGIMI I GJOSHËS
Javë e tmerrshme për Tiranën. Të shtunën në darkë u prish materniteti Mbretëresha Geraldinë, monument kulture e memorie historike për të gjithë qytetarët që lidhën me të me qindra mijëra kujtime!
Të hënën u prish Mozaiku i Tiranës. Gjurma më e vjetër historike e Kryeqytetit nga periudha e Perandorisë Romake, asaj Bizantine dhe fillimet e Krishtërimit në Shqipëri. Shkatërrohet në pak sekonda duke u mbuluar e gjitha në beton!
Ndërkohë po këto ditë është marrë dhe vendimi në KKT që Galeria Kombëtare e Arteve të ndjekë fatin e godinës së Maternitetit. Për fat të keq projekte të ngjashme janë parashikuar dhe për Muzeun Historik dhe Bibliotekën Kombëtare.
Në fund të mandatit kjo qeveri po shkatërron e tjetërson çdo pasuri kulturore e publike. Duket sikur zemërimi për humbjen e pushtetit po del duke shkatërruar çdo gjurmë historie dhe identiteti mbi kryeqytetin e Shqipërisë!
25 prilli nuk është vetëm rotacion politik por dhe mision kombëtar! Duhet t’ia ndalim dorën kësaj qeverisje, para se të na tjetërsojë dhe si qytetarë e si komb!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb