NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- “Moratoriumi i gjuetisë nuk është gjë tjetër përveçse paaftësi totale e shtetit për të zbatuar ligjshmërinë e vet. Edhe 5 vite të tjera “burg” për gjuetarët e ndershëm shqiptarë”.

Kështu e cilëson federata e gjuetarëve përpjekjen e re të qeverisë për të vendosur moratoriumin e ri 5-vjeçar që ndalon gjuetinë. Ky moratorium për ta është një fasadë e cila duket korrekte në pamja duke u dhënë mundësi të pushojnë së punuar burokratët dhe në realitet gjuetarët e paligjshëm po shkatërrojnë çdo specie edhe në kohë shumimi.

“Moratoriumi nuk është zgjidhje, po nuk pati investime të fuqishme për rehabilitim e zonave për kultivimin e specieve të zhdukura që janë në limite kritike, moratorium nuk ka asnjë lloj efekti. Po moratorium ka dhënë efekt për ata që ishin të lirë dhe kontrabandist, ata janë bërë të ligjshëm tani”, thotë Themi Perri, sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Gjuetarëve.

Perri në emër të rreth 15 mijë gjahtarëve në vend deklaron se në mars ligjin për moratorium do ta dërgojnë në kushtetuese për anulim.

“Protesta dje ishte vetëm fillimi, ne do të vazhdojmë me protesta dhe mjete demokratike që të fitojmë një të drejtën tonë. Madje s’po të përfundojë periudha 2- vjeçare e moratoriumit ne do ta padisim shtetin shqiptarë në gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, deklaron Perri.

Sekretari i përgjithshëm i shoqatës flet edhe për zonat ku gjuetia e paligjshme ka vijuar pa pasur asnjë kufizim nga moratorium.

“Në zonat malore dhe kodrinore është gjuajtur sikur moratorium nuk ka ekzistuar fare. Ke zonën e Durrësit, të Shkodrës, të Korçës është gjuajtur sikur nuk ka pasur moratorium. Ministria e mjedisit nuk ka inventar të saktë të llojeve të shpendëve të egra që ne të dimë sa kemi pasur kur filloi moratorium dhe sa kemi tani”, shton ai.

Përveç kundërshtimit, gjahtarët kanë edhe propozime konkrete për qeverinë. Një ndër to është edhe dhënia e zonave të caktuara me koncesion apo në administrim duke përfshirë rritjen e tarifave dhe uljen e afatit të gjuetisë.

“Zonat e gjuetisë duhet ti japin për menaxhim shoqatave të gjuetarëve pasi janë ata që e ruajnë më mirë gjahun. Të nxjerrin rregulla dhe kritere të forta duke filluar që nga ngritja e tarifave të gjahut, ulur numrin e ditëve të gjuetisë, duke ulur numrin e sipërfaqeve të gjuetisë, të ruajmë sipërfaqe të drejtë me numrin e gjuetarëve”, kërkon ai.

Moratoriumi i pazbatuar vitin e fundit ka sjellë mjaft dëmtime të faunës së egër. Forcimi i ligjeve dhe rritja e frekuencës së kontrolleve ndaj gjuetarëve së bashku me investime konkrete do të sillnin një situatë më të përmirësuar dhe llojshmëri shpendësh dhe kafshësh autoktone.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb