TIRANE-Gjuetarë nga mbarë vendi janë mbledhur sot në Tiranë dhe kanë protestuar kundër Moratoriumit të Gjuetisë.

Nisur nga situata kritike e popullatave të faunës së egër në Shqipëri, dhe humbja e diversitetit të llojeve, me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe vendim të Këshillit të Ministrave nr 1069, date 14.12.2013, Kuvendi i Shqipërisë, me datë 30.1.2014, ka miratuar, ligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji për “Shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, pezullon të gjitha lejet e lëshuara të gjuetisë dhe përdorimin e zonave të gjuetisë.

Por gjuetarët shqiptarë nuk pajtohen me këtë moratorium. Sipas tyre, moratoriumi të vendoset për sezone të caktuara dhe në një sezon të caktuar brenda vitit të lejohet.

Për këtë arsye, disa ditë para se të përfundojë moratorium 2-vjecar i qeverisë kundër gjuetisë, mbi 1 mijë gjahtarë nga e gjithë Shqipëria janë hedhur në protestë para kryeministrisë, dhe protestuan nën thirrjet “Të shfuqizohet moratoriumi i gjuetisë!”.

Si mbështetës të këtij moratoriumi, gjuetarët sportive shprehen të zhgënjyer pasi kanë investuar vetë në shumë zona për shtimin e kafshëve të egra dhe procesi shkoi mirë gjatë 1 viti e gjysmë. Por gjatë 6 muajve të fundit, ky moratorium ka degraduar pasi gjahtarët e paligjshme po bëjnë kërdinë duke shfarosur shtimin e popullatës së një sëre kafshësh dhe shpendësh. Por këta gjahtarë të apasionuar dhe jo të ndërlidhur me arsye fitimi, kërkojnë që të vendosen rregulla të forta për monitorimin e gjuetisë, si dhe specialistë të fushës për zbatimin e politikave ligjore dhe jo një shtyrje 2-vjeçare.

Në protestë pati edhe kërkesë ndaj kryeministrit, që të dëgjojë zërin e tyre përpara se të marrë vendimin për një moratorium të ri.

Protesta në Tiranë kulmoi pas një sërë protestash në rrethe të shoqatës së Gjuetarëve të cilën janë të grupuar dhe funksionojnë në bazë të rregullave.

Por ndryshe mendon qeveria, sipas të cilës, kjo peridhë 2-vjeçare do të shërbejë për hartimin e planit të masave për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër në përputhje me Udhëzuesin për Gjuetinë e Qëndrueshme sipas Direktivës së Shpendëve të Komisionit Evropian, (2009/147/EEC,) Kartës Europiane të Këshillit të Evropës për Gjuetinë dhe Biodiversitetin, Konventës së Bernës “Për ruajtjen e jetës së egër dhe të habitateve natyrore Evropiane” si dhe Konventës së Bonit “Për llojet migratore”.

Po kështu brenda kësaj periudhe do të bëhet rishikimi i akteve nënligjore të ligjit nr. 10253, date 11.3.2010 “Për gjuetinë” në Republikën e Shqipërisë, rishikimi i procedurave për dhënien e lejeve të gjuetisë, rishikimi i zonave të gjuetisë, rishikimin e statusit për funksionimin e një federate gjuetie në nivel kombëtar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: