Bosi italian i mafias super i kërkuar Matteo Messina Denaro, në arrati prej 30 vitesh, u arrestua dje nga karabinierët e skuadrës Ros në një klinikë private në Palermo. Hetimi që çoi në arrestimin e bosit mafioz Castelvetrano (Tp) u koordinua nga prokurori Maurizio de Lucia dhe zv/prokurori Paolo Guido, i cili prej vitesh ka hetuar kumbarin e Cosa Nostra-s.

Kërkimi i strehës ka zgjatur gjithë natën dhe arrestimi i anëtarit të fundit të Cosa Nostra-s ndodhi pas disa orë kërkimesh. Gjatë arrestimit të tij, në dhomën e klinikës u gjetën sende luksoze, rroba të stilistëve dhe parfume të rafinuara, por jo armë. Karabinierët janë në kërkim të vendstrehimit të tij, që sipas shumë të penduarve të drejtësisë, përmban përgjigjen e shumë prej sekreteve të masakrave.

Pak kilometra nga vendlindja e Messina Denaro-s
Një qendër prej 11,000 banorësh në provincën e Trapanit, Campobello është qyteti i Giovanni Luppino, mjeku kirurg që të hënën shoqëroi bosin e mafias në klinikën Maddalena ku ndodhi dhe aksioni. Campobello është vetëm 8 kilometra nga Castelvetrano, qyteti i origjinës së Messina Denaro dhe familjes së tij.

Bastisja ndodhi në vicolo San Vito, në qendër të Campobello di Mazara. Në orën 8:30, efektivët e Departamentit të Hetimit Shkencor të Mesinës mbërritën në vend dhe po kontrollojnë shtëpinë. Siç raportojnë mediat italiane, Messina Denaro jetonte në një shtëpi që kishte mbetur e pabanuar muajt e fundit, pasi pronarët u shpërngulën.
Kontrollet në strehën e Denaro-s do të sjellin shumë të dhëna në lidhje me botën e nëndheshme të krimit të organizuar në Itali.

Disa prej të penduarve pohojnë se kumbari Messina Denaro ishte kujdestari i thesarit të Totò Riina-s, dokumente tepër sekrete që shefi korleonez i mbante në vendin e tij të fshehtë përpara arrestimit, të cilat rezultojnë të zhdukura.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb