Ish- deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka mbajtur një deklaratë për shtyp fill pas reagimit të ministres Olta Xhaçka për tenderin e ushqimeve 1.5 milionë euro që ju dha një kompanie maqedonase.

Sipas Alibeajt gjuha e urrejtjes së Xhaçkës ndaj opozitës dhe sulmet  e saj nuk e fshehin dot skandalin. Ndërkohë po Alibeaj paralajmëroi ditë më parë që një kallëzim penal do të depozitohej në SPAK për ministren ndërkohë sot i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Prokurorit të Përgjithsëm që të dalin nga karantina dhe të merren me tenderin e ushqimeve.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEKD ALIBEAJ

Të dashur qytetarë,

Kemi 3 ditë që i kërkojmë qeverisë të bëjë transparencë për tenderin 1,5 milionë euro të ushqimeve, të bukës suaj.

• Pse ky tender iu dha një kompanie kompjuterash në Maqedoni?
• Kush fshihet pas saj?

Për 3 ditë Edi Rama dhe Olta Xhaçka heshtën. Asnjë fjalë, asnjë përgjigje.

Sot, pas 3 ditësh, në vend të transparencës, Xhaçka sulmoi me gjuhë urrejtje opozitën. Ju të gjithë e dini thënien “mbrojtja më e mirë është sulmi.

Por sulmi me shpifje vetëm zbulon sa nervozë janë Rama dhe Xhaçka.

Zbulon se po fshehin të vërtetën e skandalit me 1,5 milion euro të shqiptarëve, për ushqimet e njerëzve në nevojë, që i janë dhënë një kompanie kompjuterash pa asnjë lidhje, në Maqedoni.

Rama dhe Xhaçka e kanë për detyrë t’u përgjigjen pronarëve të 1,5 milonë eurove, që jane taksapaguesit shqiptarë:

1. Pse, mes 35 000 kompanive shqiptare që merren me furnizimin e ushqimeve, zgjodhi për t’i dhënë 1,5 milionë euro, kompanisë së kompjuterave nga Maqedonia?
2. Pse ia dha tenderin një kompanie maqedonase, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para tenderit?
3. Kush fshihet pas kësaj afere? Kush po përfiton në kurriz të njerëzve në nevojë?

Asnjë sulm me gjuhë urrejtje dhe asnjë shpifje kundër opozitës që po mbron interesat e shqiptarëve, nuk mbulon apo justifikon abuzimet me paratë e shqiptarëve në këtë kohë lufte.

Vjedhja dhe abuzimi me paratë dhe bukën e shqiptarëve duhet të marrin ndëshkimin e merituar. SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet ta lënë karantinën dhe tën isin menjëherë hetimin e kësaj çështje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb