Gjuha shqipe do të mësohet në Universitetin e Harvardit për të gjithë studentët e të gjitha niveleve.

Lajmin e bëri me dije administratori në departamentin e letërisë krahrasuese në Harvard, Faton Limani.

“Lënda e gjuhës shqipe do të ofrohet gjatë tërë vitit në tre nivele – njohuri fillestare (elementary), njohuri bazike (intermediary) dhe niveli i avancuar (advanced) në Departamentin e Letërsisë Krahasuese,” – shkroi Limani, ndërsa sqaroi se kjo arritje është realizuar në bashkëpunim me bashkëkombasen dhe kolegen Eva Stathi – Misho.

Edona Cosovic, kryetare e vitit të dytë dhe vajza e një emigranti shqiptar nga Mali i Zi, tha për “Harvard Magazine” se ishte një nga studentët që nxiti futjen e gjuhës shqipe në Harvard.

E rritur në SHBA, ajo mësoi të fliste gjuhën shqipe në mënyrë jo formale në shtëpi, por e kishte të vështirë ta ruante gjuhën pavarësisht dëshirës së saj të madhe për ta bërë këtë.

“Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin burime për të na blerë kanale shqiptare”, thotë ajo.

“Ne jemi në shkollë gjithë ditën, shikojmë TV në anglisht, gjithçka është në anglisht, dhe ata gjithashtu po përpiqen të mësojnë gjuhën angleze sepse ata punojnë këtu dhe po përpiqen gjithashtu të bëjnë para, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë, shumë shpejt, brenda një brezi”.

Në mars të vitit 2022, Cosovic pyeti për mundësinë e ndërtimit të një kursi në Harvard. Kështu ajo foli me Eva Stathi Misho-n, një koordinatore studentore e NELC. Para se të vinte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar për klasikë në Kolegjin Hellenic në Brookline, Stathi Misho studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb