Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka thënë se urdhri i arrestit për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojicicin, është pjesë e ‘luftës speciale të Prishtinë, për të krijuar një përshtypje se serbët nuk kanë askënd që t’i mbrojë dhe se zëri i tyre është i parëndësishëm dhe se ata që marrin vendime janë vetëm shqiptarët e “Elitës së UÇK-së”.

Më tej ai ka komentuar edhe raportimet për urdhër arresti ndaj Ivan Teodosijevicit, duke thënë se është një përpjekje për të bindur serbët që askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë në Prishtinë.

Ai ka thënë se Serbia do të gjejë një mënyrë për të mbrojtur serbët që jetojnë në territorin e Republikë së Kosovës.
“Serbia, e theksojë edhe një herë, do ta gjejë një mënyrë për t’i mbrojtur njerëzit tanë në Kosovë, sepse askush nuk mund t’i detyrojë ata të largohen nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Gjuric, shkruan telegraf.

Këto reagime të Gjuric kanë ardhur pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se është ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç.

Teodosijeviç në fillim të këtij viti, kishte deklaruar se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte paraqitur agresion, teksa ish-ushtarët e UÇK-së i kishte quajtur terroristë ndërsa kishte fyer qytetarët kosovar duke thënë se masakra e Reçakut ka qenë e trilluar.

Disa ditë pas këtyre deklaratave, kryeministri Haradinaj e kishte shkarkuar ish-ministrin serb, duke thënë se gjuha e urrejtjes dhe nxitjes nuk ka vend në qeverinë e tij.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit I.T., pasi në cilësinë e Ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

I pandehuri I.T., më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim…Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime I.T., ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: