SERBI-Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric ka kërcënuar Kosovën me ndërprerje të dialogut nëse pesë serbët e arrestuar sot nuk lirohen.

“Në qoftë se pesë të arrestuarit në komunën e Gjilanit nuk lirohen sot nuk do të ketë dialog për një kohë të gjatë”, është shprehur Gjuric, përcjell lajmi.net.

Ai ka theksuar se ky mesazh vjen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç duke shtuar se edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian tashmë janë informuar në lidhje me këtë çështje mirëpo ende nuk kanë kthyer përgjigje.

“Arrestimet ishin brutale, një skenar i përgatitur nga ekstremistët shqiptarë, ky veprim është në kundërshtim me atë që u dakorduan Vuçic dhe Mogherini në takimin e fundit ku në mënyrë të qartë u tha se gjëra të tilla nuk do të ndodhin. Mëkati i vetëm i të arrestuarve ishte se kundërshtuan verbalisht formimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Gjuric.

Policia e Kosovës zhvilloi sot një aksion në rajonin e Gjilanit ku arrestoi pesë serbë nën dyshimet se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: