Në Galerinë Kombëtare të Arteve është çelur ekspozita personale “Autobiografia” e Xhevdet Xhafës. Ekspozita është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor të dy ministrive përgjegjëse të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Autobiografia” e piktorit Xhevdet Xhafa sjell gjurmët e forta që ka lënë lufta në Kosovë dhe përpjekja për pavarësi.

Këpucë të lëna pas në një periudhë lufte, tela me gjemba, kukulla fëmijësh në një fushë beteje. Gjithçka është frymëzim nga historia e pasqyruar në telajo përmes ngjyrave të forta.

Xhevdet Xhafa ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita internacionale ku ka fituar mirënjohje të shumta dhe është mirëpritur si artist. Nga ato do të veçohen: Ekspozita kolektive në Rockfeller Gallery në New York, ku veçohen veprat e Xhafës.

Ekspozita e arteve bashkëkohore në Wellington/Sidney –Australia ku marrin pjesë shumë artist me mëse 100 piktura, skulptura edhe foto artistike. Kritiku francez Oskland Strari thekson: “Arti jugosllav nuk paraqet fuqi botërore në aspektin artistik, megjithatë ka disa artistë, rëndësia e të cilëve i tejkalon kufijtë e tij”. Ai vë në spikamë veprat e Shutelit, Xhafës, Rotarit dhe Abramoviçit.

Ekspozita në Galerinë moderne të arteve bashkëkohore në Romë, pjesëmarrës ishin 60 krijues, Xhafa prapë veçohet në mesin e 11 artistëve dhe ekspozita Alternative e Artit tonë bashkëkohor në Vjenë, Austri ku përsëri artisti cilësohet si shembull i individualitetit tonë në rrafshin e artit bashkëkohor.

“Autobiografia” e Xhafës shpaloset si një libër deri në datën 14 tetor në GKA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb