TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha ka folur sot për projektet në Tiranë. Ai tha se në planin urbanistik të bërë nga qeverisja e PD, ishin të përcaktuara pallate me 5 deri në 8 kate, jo kulla.

Ai tha se sheshi “Skënderbej” është çnjerëzor dhe se nëse PD do të jetë në qeverisje do të rivitalizohet.

Berisha foli dhe për ligjin e trashëgimisë kulturore duke theksuar se me këtë transformim gjurmët e trashgimisë po zhduken.

“Qëllimi kryesor që u dha Dajti ishte për të mos bërë kullë aty. Provova ta shndërroja në Ministri të Jashtme. Nuk u zhvendos dot MEPJ për arsye që u paraqitën dhe ndaj iu dha bankës.
Sheshi është një turp i dheut, është një shesh çnjerëzor. Shesh që kryen të vetmin funksion kalim këmbësorësh, kaq. Një shesh gjigand i zmadhuar në përmasa të frikshme dhe që përveç Koresë së Veriut nuk gjen tjetër kund si ai shesh. Do rivilatizohet, do punohet me arkitektë. Nuk jam për paralizimin e trafikut. Do rivitalizohet. Nuk mund të konceptoj një shesh pa jetë, siç është sheshi i sotëm.
Korsitë e biçikletave, nuk mund të them se do hiqen, do studiohet ku do qëndrojnë dhe ku s’do qëndrojnë. Por në parim unë nuk jam kundër biçikletës sepse është një mjet i dobishëm për shëndetin dhe nuk mund ta nxjerrim jashtë qarkullimi.
Kemi pasur një plan urbanistik për Tiranën. Edi Rama nuk e bëri dot 11 vjet, u bë për 2 vjet. Kishte të përcaktuara nga 5 deri në 8 kate. Sot aty ka qenë të përcaktuara 5 katëshe janë 35 katëshe. Plani ka qenë qartësisht i përcaktuar, nuk ishin të përcaktuara kullat, nuk kishte asnjë lloj hapësire për kulla. Kishte hapësirë për pallate maksimumi 8 kate. Ligji për trashëgiminë kulturore do jetë ndër të parët që do shqyrtohet.
Ne do hartojmë një ligj me ekspertizën më të mirë europiane që ekziston në këtë fushë.
Pallati i Brigadave, ne kemi pasur një projekt me cooperazione italiane, një projekt 8-10 mln euro. Tani nuk flitet më për restaurimin e tij. Cooperazione italiane ishte plotësisht i interesuar. Do pësojë dhe ai të njëjtin fat në qoftë se vazhdohet me këtë tjetërsim. Për ne kjo është një batërdi që i bëhet identitetit të Tiranës dhe do bëjmë gjithçka që të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet. Me këtë lloj transformimi, gjurmët e trashëgimisë po zhduken dhe do zhduken”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb