Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj denoncoi sërish sot gjyqtarin e Gjykatës Administrative, i cili me një vendim të tijin ka bllokuar punën për çlirimin e varrezave të Sharrës nga ndërtimet e shumta ndër vite pa leje.

Duke folur për News 24, Veliaj theksoi se koha e administratës së PD-së dhe e LSI-në në Bashkinë e Tiranës, ku njerëzit varroseshin në rrugë, se nuk kishte vende, ka marrë fund.

“Ndihem i keq ardhur kur gjyqtarë të Gjykatës Administrative, sillen a thua se unë këtë po e bëj për veten time. Është në dinjitetin e kësaj administrate që, edhe Tufinën, edhe Sharrën, ta lërë më mirë seç e gjetëm. Fillimisht ta çlirojmë nga ndërtimet pa leje. Fatmirësisht, nga 8 godina pa leje, për 7 prej tyre pretendimet u rrëzuan dhe bashkia e liroi atë hapësirë. Ndërkohë, vetëm një gjyqtar, nga ata gjyqtarët që shanset që ta kalojë vettingun i ka zero, dha një vendim të tipit “kçk”. Koha që na humbet me budallallëqe epike të kësaj natyre, është monumentale. Pastaj, na duhen kaq vite duke u përplasur gjyqeve për të hequr ndërtimet pa leje Brenda në varrezë. Është fyerje e madhe! Nuk kuptoj çfarë dinjiteti kanë këta gjyqtarë. I kuptoj kulturat e tyre korruptive në vite, por çdo gjë e ka një limit. Këta qartazi nuk kanë asnjë limit. Pra, këta për atë ryshfet, janë gati të bëjnë çudira që ndodhin vetëm në Shqipëri. T’i japësh masë bllokimi bashkisë, që të mos heqë ndërtimet pa leje në varrezë, është diçka e paimagjinueshme”, deklaroi Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb