TIRANE– Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Gazmir Dacin, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese të Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij, Robertit. Ndërsa, babai i Gazmirit, Xhelal Daci u dënua me 6 vite burg, pasi akuzohet për fshehjen e armës së krimit. Ndërkaq, at e bir kanë pranuar krimin e kryer, duke bërë që të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar. Kështu, Gazmiri do të vuajë 35 vjet heqje lirie dhe 4 vjet burgim babai i tij.

Ngjarja për të cilën akuzohet i riu, u shënua vitin e shkuar në Kamëz, ndërsa rreth tre muaj më parë Gazmir Dacit iu bë edhe një atentat me snajper në burgun e Vaqarit. Valmir Kolaveri u vra nëntorin e vitit të shkuar, ndërsa Daci u arrestua pak muaj pasi kishte kryer krimin e rëndë. Në dosjen e prokurorisë në ngarkim të tij thuhej se, më 4 nëntor të 2015, rreth orës 18:00, Gazmir Daci ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij “BMW X5” në rrugën “Demokracia”, në Kamëz. Në atë moment ai ka hasur në rrugë Robert Kolaverin, i cili ishte duke udhëtuar me mjetin e tij.

Daci ka zbritur nga makina me një armë në dorë dhe më pas është konfliktuar me Kolaverin. Për shkak të këtij debati dhe konflikteve të mëparshme që ata kanë pasur me njëri-tjetrin, Gazmir Daci ka shkuar drejt lokalit ku ndodheshin dy vëllezërit Kolaveri duke qëlluar me armë mbi ta. Pak kohë pas krimit të kryer, ai u kap i fshehur në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Ndërsa, më datë 5 shkurt të këtij viti, në banesën e tij u vu një sasi tritoli, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Konflikti mes tyre dyshohej se kishte nisur pas një sherri të ndodhur jashtë Shqipërisë, për prishjen e pazareve për trafik klandestinësh. Ndërkaq, në një intervistë të dhënë nga burgu, Gazmir Daci shfaqi pendesë të thellë, duke u kërkuar edhe falje publike familjarëve të viktimës.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: