Një ditë pasi Gjykata e Apelit e Durrësit vendosi rikthimin në qeli të të ashtuquajturit ‘baroni i drogës’ Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg në Itali për trafik droge duket se 43-vjeçari është zhdukur dhe ka humbur çdo gjurmë.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e liroi nga burgu më 11 korrik Alket Hatijan me arsyetimin se ka kryer dënimin në Shqipëri dhe në pritje të një shkrese nga autoritetet italiane. Hatija do të priste procedurat e ekstradimit në Itali me masën e sigurisë detyrim paraqitje dy herë në muaj në prokurori.

Por Apeli ndryshoi dje masën e sigurisë në ‘arrest me burg’ dhe ndërsa policia duhet të ekzekutonte vendimin e formës së prerë, nuk ka mundur ta gjejë në adresën e regjistruar.

Nuk dihet nëse 43-vjeçari që u kap në një bunker të përshatur si vilë luksoze në Berat ndodhet ende në Shqipëri apo është arratisur jashtë. Urdhri për arrestimin e tij është shpërndarë në të gjitha drejtoritë e Policisë.

Sipas autoriteteve italiane,  në vitet 2003-2004,  Hatija është arrestuar në Milano me 350 kilogramë heroinë dhe 190 kilogramë kokainë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb