Gjykata e Beratit që ka në juridiksion edhe Kuçovën ka konfirmuar sot mandatin e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari. Seanca për konfirmimin dhe legjitimimin e mandatit të Kreshnik Hajdarit është drejtuar nga vetë Kryetari i Gjykatës Durim Hasa.

Pasi është njohur me dokumentacionin përkatës, Hasa e ka vlerësuar të ligjshëm dhe më pas i ka dhënë mandatin e tij për drejtimin e bashkisë Kuçovë, kandidatit të Partisë Socialiste, Kreshnik Hajdari.

Kujtojmë se në Bashkinë e Kuçovës, Hajdari nuk kishte rivalë, duke shkuar i vetëm në votimet e 30 Qershorit. Si palë në këtë seancë gjyqësore ka qenë edhe kryebashkiaku Selfo Kapllani që mban prej 4-vitesh mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës nga radhët e LSI-së.

Ai ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues dhe ka deklaruar se mandati i Kreshnik Hajdarit është i pavlefshëm sepse duhet të njihet dekreti i Presidentit të Republikës, që anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit. Për këtë arsye, kryebashkiaku Kapllani ka apeluar vendimin e dhënë sot nga Gjykata e Beratit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb